Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, i ftuar në studion e “News24” ka folur në lidhje situatën politik në vend dhe problemet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë.

Mes të tjerash ai foli në lidhje me protestën kombëtare të paralajmëruar nga kreu i PD, Sali Berisha më 11 shkurt.

Deputeti Sula u shpreh se është pro protestave, por nuk mbështet protestat e dhunshme, pasi ky nuk është mesazhi që duhet të transmetohet tek të rinjtë

Sula u shpreh se e keqja e madhe e këtij vendi është pa dyshim mazhoranca dhe kryeministri Rama, duke shtuar se situata e krijuar është edhe për pasojë e defekteve të opozitës e cila sipas tij nuk ngjall më shpresë.

“Do të jem pjesë e protestës, unë e kam thënë se jam opozitar. Nëse do të thirret një protestë në interes të qytetarëve unë do të jem prezent. Ky është parimi im. Unë jam për protesta paqësorë, dhe jo të dhunshme. Ndryshimi nga shumë politikanë është që jam i lirë. E vërtetë është që Rama, Berisha, Basha, Kryemadhi bashkë kanë dalë, kanë qarë, gëzuar, prishur dhe gëzuar. Deri dje Basha ishte burrë i mirë, takoheshin buzë më buzë. Unë jam kundër djegies së mandatave. Problem i madh është që opozita është e përçarë dhe nuk po ngjallim shpresë. Unë nuk mund të rri i heshtur dhe të mbyll gojën për qëndrime apo për ata që janë në poste që nuk duhen në PD. Nuk e kam për servilizëm, por Berisha është babai i politikës. 99% të votave i ka Berisha, unë shpresoj të nxjerrë çelësin nga xhepi. Berisha ka demonstruar se është njeri pragmatist që merr vendime të forta”, tha Sula.

Më tej deputeti Sula foli në lidhje me çmimin e karburanteve në vend dhe kontrabandën e naftës.

Ai e quajti bordin e transparencës bord përfitues.

Në lidhje me çmimet e shportës, Dashnor Sula u shpreh se çmimi i produkteve të këtyre produkteve ushqimore është rritur me 76 përqind, çka ka çuar edhe në uljen e konsumit.

“Unë gjej rastin të falënderoj gjykatën për seriozitetin me të cilën po trajtohet problematika. Ishin dy kërkesa, një për produktet ushqimore dhe tjetra për karburantet. Argumentet ishin të qarta. Akti normativ është në kushte jonormale dhe i jep mundësi që pas 45 ditëve të futet në ligj. Bën 10 muaj që ka dalë ky akt normativ dhe duhej të ishin marrë masa për mos rriten e çmimeve ose uljen e tyre. 76% janë rritur çmimet e shportës bazë. Pa harruar që jemi të vetmit me këto shifra. Ashtu si në komunizëm që ishim ndryshe nga të tjerët ashtu jemi dhe sot.

Qeveria po anashkalon Parlamentin dhe ka rritur çmimet e produkteve të shportës me 76%.

Shteti nuk po mban peshë, pasi ka mbledhur 500 milionë euro dhe ka shpërndarë 80 milionë euro. Konsumi ka filluar të bjerë. Nuk janë borde transparence, por përfituese për të mos thënë zhvatëse. 6 prej tyre merren me çmimet në markete.

Të mos flasim për karburantet, është llahtari. Kam analizuar që para 7-8 muajsh, por megjithatë ne nuk do e lëmë me kaq. A ka logjikë ekonomike, penale, politike për këto çmimeve. Të kesh 740 mijë makina, edhe të doganosh 530 mijë tonë naftë? I bie 40 mijë tonë më pak. Ma shpjego pak logjikën. Thonë se ka ndikuar teknologjia.

Këtu ka dy rrugë, o kontrabandë e pastër ose nafta bruto përpunohet dhe qarkullohet këtu. Është një miniere ari. Është e qartë e gjithë gjeja. Ne e kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe presim vendimin. Kemi shpresë që të merret vendimi në favor të qytetarit. Relacioni që ka shpalosur qeveria është i palogjikshëm”, ka deklaruar ai.

Deputeti i PD ka propozuar edhe formulën për bashkëpunimin mes dy grupeve brenda PD për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ai u shpreh se palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i kandidatëve të cilët nuk janë më të mirët e mundshëm dhe më pas të kryhet regjistrimi i tyre.

“Mund të kishte kandidatë edhe më të mirë. Historia nuk do t’i harrojë as Berishën e as Alibeajn nëse nuk gjejnë kompromisin për një kandidat të përbashkët. Të anashkalojmë gjithçka të paktën deri në 14 maj. Nuk votohet për të bërë Berishën kryeministër, duhet të jemi bashkë për qytetarët. E pamë çka ndodhur në bashkitë e qeverisura nga socialistët.

Të dy palët duhet të lëshojnë. Pala jonë kemi firmën e vulën, Berisha ka kandidatët. Nuk është çështje pazari por në ato bashki ku thuhet duhet një rregullim, duhet gjetur gjuha e bisedimit për të zëvendësuar kandidatët.

Bëhet fjalë për maksimumi 25 bashki në të gjithë vendin. Duhet të zgjedhim kandidatin që është më i mirë. Pastaj kandidatët regjistrohen”, ka deklaruar ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb