“Në momentin e parë kur erdha në Galeri për të parë vendin se ku do të ekspozoja dhe të krijoja kontaktet e para me Galerinë Kombëtare, u ndjeva tej mase e emocionuar nga entuziazmi dhe interesi i tyre për këtë ekspozitë. Që në moshë të re i kam vendosur vetes një mision, që kush nuk ka mundësi të vijë për të parë punët e mija, të shkoj unë tek ata me artin tim. Veprat e mija janë pasqyrim e përjetimeve gjatë jetës time”.

Kështu u shpreh dje para mediave artistja turke Tulin Onat para çeljes së ekspozitës “Qark”. Ajo u shpreh e lumtur që ka ardhur në Shqipëri dhe tha se “ndërsa shikoni krijimet e mija dhe mund të fokusoheni në copëza apo detaje të këtyre pikturave, jam e sigurtë që do të gjeni diçka nga vetja juaj”.

Pyetjes së gazetarëve rreth konceptit të “Qarkut” në punët e saj artisja Onat ju përgjigj: “Jam e mendimit se në jetë gjithçka përsëritet në formën e një qarku. Arsyeja pse merrem me qarkun është forma e tij fizike, një formë që nuk as fillim as fund, si një rrugë pa krye. Një formë rrethi e copëtova duke e prerë dhe pasi i bashkova sërish cpëzat përftova përsëri një qark”.

Pyetjes se nëse punët e saj kanë lidhje me ambientalizmin meqënëse hapësira është e pranishme në këto punë, artistja iu përgjigj se “Artisti i ditëve tona patjetër që përfshihet në çështjet e ambjentit dhe këto çështje janë edhe pjesë e punëve të mija. Disa nga veprat janë punuar për të vënë në pah tre përmasa. Edhe kur punoj me pika mjaft të vogla, mundohem të tregoj çfarë ka mbrapa tyre. Vitet e fundit arrita të nxjerr në pah përmasën e tretë duke gërvishtur apo çarë planin e parë, këto punë i kam emëruar kanavacat e prera”.

Kjo ekspozitë e kuruar nga kuratorja e mirënjohur Beste Gursu, sjell vepra të artsistes të një periudhe 10 vjeçare. Këto punë vijnë të punuara në teknikë mikse mbi kanavacë.

Konferencapara mediave u hap nga studiuesi dhe kuratori i artit pranë Galerisë Kombëtare Ylli Drishti, i cili përshëndeti në emër të Galerisë Kombëtare këtë ekspozitë. “Ekspozita e artistes Onat, vjen si një bashkëpunim me Ambasadën turke dhe Institutin Jonus Emre në Tiranë. Kjo është një ekspozitë që vjen nën kurimin e kuratores Gursu, me të cilën kemi pasur bashkëpunim edhe në të kaluarën, me ekspozitën e artistit Dervil Erbil. Kjo ekspozitë shpalos vlerat e veçanta artistike të një piktore shumë kërkuese, ku të bie në sy punimi i abstraguar në shtresëzime mbi një sfond opak”.

Salih Gultekin, drejtor i Institutit Jonus Emre në Tiranë tha se institute ka si qëllim promovimin e vlerave të tilla si arti, kultura, kulinaria etj. “Ne përpiqemi që çdo vlerë në Turqi ne ta ndajmë me shoqërinë shqiptare. Një vit më parë u zhvillua ekspozita e artistit Dervil Erbil dhe sot jemi të nderuar nga prezenca e artistes Tulin Onat me këtë ekspozitë. Jeta kulturore në Turqi vazhdon me shpejtësi, dhe unë dua të falenderoj artisten Onat që e pranoi ftesën tonë për zhvillimin e kësaj ekspozite. Gjithashtu falenderoj Shoqatën e Dialogjeve Ndërkulturore të Artit, Stamboll, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Turkish Airlines”.

Kuratorja e kësaj ekspozite zj. Beste Gursu, si përfaqësuese e Shoqatës së Dialogjeve Ndërkulturore të Artit, vuri në dukje se evenimente të tilla forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ajo falenderoi Galerinë Kombëtare që mirëpret për herë të dytë atistë nga Turqia, duke theksuar se artistja Onat vjen si përfaqësuese e artit bashkëkohor Turk. Më tej ajo shpjegoi se piktura e saj “Galaksi” e vitit 1988, do të bëhej pikënisje dhe lajmëtare e ekspozitës së sotme “Qark”. Kjo ekspozitë vjen me punime të 10 viteve të fundit, ku përmes ngjyrave dhe formave ajo zgjon çdo lloj emocioni tek shikuesi, shtoi kuratorja Gursu.

Në mbyllje të kësaj konference kuratorja e ekspozitës Beste Gursu, bëri me dije se artistja Onat i dhuron fondit të Galerisë Kombëtare një prej punëve të ekspozuara në këtë ekspozitë, veprën me titull “Zbrazëti Hapsinore” të vitit 2013.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb