TIRANE- Në kuadër të aktiviteteve të programuara me rastin e presidencës italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian, Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me institucionet shqiptare e universitetet italiane dhe shqiptare, organizojnë më 12 dhe 13 dhjetor 2014, një konferencë dhe një seri ekspozitash të arkitekturës me titull “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri”.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve u çel sot në ambientet e Kryeministrisë një ekspozitë me punimet e disa artistëve italianë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh se shqiptarët deri vonë e identifikonin Europën me Italinë.

“Deri vonë, Evropa për ne ishte Italia dhe pjesët e tjera të saj për ne dukeshin shumë larg. Ndërkohë që kur mendonim Italinë apo ndiqnim televizionin italian e lidhnim gjithmonë Italinë me Europën”, tha Rama.

Ndërsa duke folur për ekspozitën e sotme, Kryeministri Rama u shpreh se, sigurisht vetëm pamja e këtyre objekteve të shfaqura këtu nuk mjafton për të njohur kontributin e madh që arkitektura italiane ka dhënë për Shqipërinë.

Ndërsa ambasadori italian, Massimo Gaiani falënderoi Kryeministrin Rama për organizmin e kësaj ekspozite dhe për mbështetjen që ai i ka dhënë këtyre aktiviteteve.

“Ideja është t’u tregojmë, t’u shfaqim shqiptarëve, sidomos qytetarëve të Tiranës punën e një grupi mjaft të madh e me talent arkitektësh italianë”, tha Gaiani.

Objektivi kryesor i nismës është vlerësimi i kontributit që kanë dhënë në Shqipëri arkitektët si Armando Brasini, Florestano Di Fausto, Vittorio Ballio Morpurgo, Gherardo Bosio në vitet 1925-’43, përmes një Konference Shkencore, një seri ekspozitash të vendosura në ndërtesat e projektuara prej tyre, një video realizuar nga regjizori Roland Sejko me material arkivor të Institutit Luce dhe të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe një guidë “xhepi” dygjuhëshe – shqip dhe italisht- mbi ndërtesat italiane të aksit monumental të Tiranës.

Nisma zgjerohet edhe në kampin e arkitekturës bashkëkohore dhe ofron rastin për të prezantuar projektet e realizuara për qytetet e ndryshme shqiptare nga disa studio arkitektonike italiane më në zë, që marrin pjesë në Konferencë dhe ekspozojnë veprat e tyre në një nga selitë e ekspozitave.

Të premten, 12 dhjetor, në orën 19.30 do të organizohet në Teatrin Kombëtar, ceremonia përuruese gjatë së cilës, pas fjalës përshëndetëse të autoriteteve dhe prezantimit të projektit, do të projektohet videoja Simetri Vol. 4 e regjizorit Roland Sejko me material të Institutit Luce dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në bashkëpunim me Shoqatën Syri Blu – Anna Cenerini Bova.

Të shtunën, 13 dhjetor, në orën 11, do të përurohen ekspozitat e vendosura në disa seli përgjatë Bulevardit të Tiranës, duke filluar nga selia e Kryeministrisë, e duke vijuar me vizitën në Politeknikumin e Tiranës, Rektoratin, Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetin e Arteve.

Konferenca, ekspozitat, videoja dhe guida “e xhepit” do të ofrojnë para së gjithash rastin për të përshkuar historinë e arkitekturës italiane në Tiranë gjatë viteve 1925-1943. Referimet e disa profesorëve pjesëmarrës në Konferencë do të analizojnë aspekte të ndryshme, nga fillimet e SVEA në 1925 deri në itinerarin kulturor transnacional ATRIUM (Architecture of Totalitarism Regimes of the XX century in Europe’s Urban Memory) aprovuar nga Këshilli e Evropës në prill të 2014. Ata do të analizojnë nga disa këndvështrime të ndryshme si trashëgiminë italiane gjatë viteve të Enver Hoxhës, nga vepra e artistëve si Giulio Rossi dhe Alfredo Biagini, edhe dekoret e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe reasturimin profesional e konservativ të sapokryer të ndërtesës së projektuar nga Ballio Morpurgo.

Kjo nismë do të ofrojë gjithashtu rastin për të prezantuar punimet gjatë viteve të fundit në Shqipëri të disa studiove më në zë të arkitekturës italiane. Do të marrin pjesë, ndër të tjera, Mario Cucinella me projektin Empatia creativa, Atena Studio, fitues së bashku me Atelier 4 të konkursit Riviera, Filippo Taidelli me shtëpinë atelier të artistit të famshën Adrian Paci në Shkodër.

Ekspozitat do të vendosen në ndërtesa të ndryshme të aksit monumental: në Kryeministri do të ekspozohen 3 panele të mëdha në shkallën 1:500 të planit urbanistik për qendrën e Tiranës projektuar nga Brasini, Di Fausto dhe Bosio. Pranë selisë së Politeknikut do të vendosen ekspozitat mbi aktivitetin e kërkimit të kryer nga Universitetet e Milanos, Torinos, Firences dhe Barit, ndërsa selia e Rektoratit do të mirëpresë ekspozitën për të kaluarën dhe të tashmen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, kuruar nga Universiteti Sapienza i Romës dhe një ekspozitë fotografike të Donata Pizzi-t. Instituti i Arkeologjisë do të mirëpresë një ekspozitë programuar për 2015-ën me titull “Arkeologjia italiane në Shqipëri mes 1924 dhe 1943. “Kërkimi, dokumentimi, ruajtja”. Në përmbyllje, tek Universiteti i Arteve do të ekspozohen projektet e studiove italiane që kanë punuar kohët e fundit në Shqipëri.

Nga pikëpamja shkencore këto tema do të trajtohen në një Konferencë Shkencore të premten 12 dhjetor, duke filluar në orën 9, pranë Sallës së Madhe të Politeknikut të Tiranës, me pjesëmarrjen e Universiteteve të Barit, Firences, Milanos, Romës, Sapienzës, Tiranës e Torinos. Do të vijojë, në orën 16.30, prezantimi i projekteve të kohëve të fundit për qytete të ndryshme shqiptare nga Studiot Arkitektonike Arx, Atena Studio, Mario Cucinella, Studio Scardaccione dhe Filippo Taidelli.
(ma.ar/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb