TIRANE- Qytete të lashta dhe peizazhe nga Shqipëria. Njëqind vjet misione arkeologjike italo-shqiptare” është titulli i aktivitetit që mbahet nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Muzeun Historik Kombëtar, Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, Politeknikun e Barit dhe Universitetet e Bologna-s, Chieti-Pescara, Ferrara-s, Foggia-s dhe Macerata-s.

Ekspozita dhe konferenca “Qytete të lashta dhe peizazhe nga Shqipëria. Njëqind vjet misione arkeologjike italo-shqiptare” çelet më 12 prill deri më 20 maj 2016 në Muzeun Historik Kombëtar. Aktiviteti ka si qëllim të paraqesë në publik rezultatet kryesore të një bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë, në fushën e kërkimeve arkeologjike, me një të kaluar tashmë gati shekullore. Nga kontaktet e para të studiuesve italianë në fillimet e shekullit të njëzetë deri në hulumtimet e fundit, realizuar në bashkëpunim mes dy vendeve pikërisht në vitin e parë të mijëvjeçarit të tretë.

Prania e arkeologjisë italiane në tokën shqiptare ka fituar rëndësi të veçantë në dy dekadat e fundit, pasi përben një hap thelbësor në kualifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, që pikërisht në kulturë njeh një nga bazat kryesore të forcimit të lidhjeve edhe për të vërtetuar plotësisht hyrjen e vendit të shqiponjave në hapësirën e gjerë të Evropës së bashkuar. Ekspozita përbëhet nga panele ekspozues dhe është e ndarë në seksione. Disa vitrina do të mbajnë objekte të gjetura gjatë misioneve arkeologjike, që tani ruhen në Institutin e Arkeologjisë, Muzeun e Gjirokastrës, Durrësit dhe Muzeun Historik Kombëtar. Një video dhe një katalog dygjuhësh do të shoqërojë ekspozitën.

Në konferencë, e cila do t’i paraprijë përurimit do të marrin fjalën përgjegjësit e misioneve arkeologjike italiane: Roberta Belli (Politekniku i Bari-t), Sandro De Maria (Universiteti i Bologna- s), Marco Peresani (Universiteti i Ferraras), Roberto Perna (Universiteti i Macerata-s), Sara Santoro (Universiteti i Chieti-t), Giuliano Volpe (Universiteti i Foggia-s).
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: