BERAT

“Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”, është ekspozita e çelur mbrëmjen e djeshme në Muzeun Kombëtar “Onufri” në qytetin e Beratit. Ekspozita e çelur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Qëndra Muzeore Berat, ka mbledhur në ambjentet e Muzeut “Onufri” të gjithë artëdashësit e trashëgimisë kulturore.

Kjo ekspozitë erdhi në qytetin e një mbi një dritareve si një retrospeksion në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, përmes narrativës së celuloidit. Në Muzeun e Ikonografisë “Onufri”,të interesuar të shumtë, vendas dhe turistë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që të shpalosnin kostumografinë e larmishme të trevave shqiptare.

Mes materialeve të përzgjedhura për tu ekspozuar gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare),burra, gra dhe fëmijë, të veshur me kostume popullore të trevave shqiptare, nga jugu, Shqipëria e mesme dhe veriu i vendit.

Pjesë e kësaj ekspozite janë bërë kostume nga e gjithë Shqipëria por edhe shumë fotografi të vjetra të kostumeve popullore të qytetit të Beratit, që janë tashmë pjesë e arkivave të vendit, duke shpalosur një pasuri të jashtëzakonshme edhe për anën etnografike të trashëgimisë së qytetit të Beratit.

Drejtori i arkivave vendore në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Lorenc Agalliu ka folur rreth rëndësisë historike që shpalos kjo ekspozitë.

“Jemi këtu, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Muzeu Kombëtar Onufri, për të shfaqur këtë ekspozitë me foto, ku në fokus janë kostumet popullore shqiptare të trevave të ndryshme, të viteve dhe epokave të ndryshme historike. Këto foto përfaqësojnë një gamë të gjerë të kulturës sonë shpirtërore, përfshirë trojet tona shqiptare jashtë shtetit politik shqiptar. Kjo ekspozitë ka shëtitur në shumë qytete të Shqipërisë, ku ka kryesisht edhe turistë të huaj, për t’u njohur edhe ata me kulturën dhe traditat e shqiptarëve”-ka thënë Agalliu.

Drejtori i Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Miklor Pasku, ka falenderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, që i bëri pjesë të këtij itenerari kaq të bukur që kjo ekspozitë ka bërë në të gjithë Shqipërinë. Pasku ka deklaruar se hapja e kësaj ekspozitë ngjalli interes të menjëhershëm tek vizitorët e pranishëm në ambjentet e muzeut, të cilët jo vetëm e çmuan por edhe kërkuan informacion për detajet e saj.

Ekspozita “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”, një ekspozitë që nënkupton se imazhet flasin në çdo gjuhë, do të qëndrojë e hapur për dy ditë me radhë në ambjentet e Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb