Është çelur në Pallatin e Kongreseve edicioni i 24-te i panairit të librit te Tiranës. 95 botues, dhe dhjetra autorë shqiptarë dhe të huaj do të ritakohen me lexuesin në stenda pas një viti ku panairi mungoi për shkak të pandemisë.

Ceremonia u bë me një thirrje publike të kreut të shoqatës së Botuesve: Petrit Ymeri tha se “restaurimi i marrëdhënies me librin është më i rëndësishëm se restaurimi i rrugëve. Duhet të theksojmë se prej 10 vitesh bibliotekat shkollore nuk furnizohen më me libra të rinj dhe ne jemi të bindur që me lexim, me libra e me kulturë Shqipëria do të shkojë përpara”.

Pirro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, tha se “ka mungesa në shpërndarjen e librit, mungesa që ekzistojnë në rrjetin e librarive dhe në rrjetin e bibliotekave publike, ndaj panairi plotëson boshllëkun që është i rëndësishëm jo vetëm për librin”.

Sa i takon problemeve të librit mes Kosovës dhe Shqipërisë, drejtoresha e Qendrës së Librit premtoi zgjidhje. Alda Bardhyli, tha se “besoj se viti 2022 do të jetë një vit hapash konkretë për të lehtësuar pikërisht këtë problem të librit shqip në të dy anët e kufirit”. Panairi do të jetë i hapur deri të dielën në mbrëmje në orën 20, ndërsa çmimet ndahen të shtunën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: