Është çelur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”. Është një nga aktivitetet e shumta që zhvillohet gjatë sezonit turistik. Panairi ndërkombëtar i librit është në edicionin e tretë të tij dhe interesi i shtëpive botuese është i madh e po kështu edhe i lexuesve durrsakë por edhe atyre që vizitojnë Durrësin pasi ky panair e ka arritur qëllimin që ta çojë librin sa më pranë lexuesit në mënyrë që të vazhdohet tradita e leximit të librave.

Ky panair është ndër aktivitetet më të mira kulturore që i jep mundësi qytetarëve por edhe shumë vizitorëve për të shijuar gjatë sezonit turistik  jo vetëm plazhin por edhe jetën kulturore e artistike të Durrësit tha kryebashkiaku i Durresit.

Ky aktivitet që zhvillohet në shëtitoren Taulantia organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit dhe do të zgjasë deri në 12 gusht. Në stendat e këtij panairi përfaqësohen më shume se 65 shtëpi botuese, që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia, Anglia dhe risi për këtë vit është ardhja e përfaqësuesve të shtëpive botuese nga SHBA. Pra, në këtë panair marrin pjesë përfaqësues nga te gjitha trevat e vendet ku jetojnë shqiptare, ku kultivohet, shkruhet e botohet fjala shqipe, shtëpi botuese qofshin, shoqata a botime individuale,vijnë në këtë panair të përbashkët.

Rreth 60 mijë tituj librash janë të pranishëm nëpër stenda, nga të cilat 550 janë tituj të rinj, të prodhuar enkas për këtë panair.

Drejtuesi i Shoqatës Durana njëkohësisht organizator i këtij panairi, poeti Aqif Hysa në lidhje me këtë panair shprehet”: “Lënda e parë” e panairit është libri, në të shumtën e herëve është po ai libër që ka kaluar stendat e Panairit të Tiranës, Prishtinës, apo atyre ndërkombëtare, pra libra tashmë të njohur nga lexuesi, por që vazhdojnë të tërhiqen. Kjo është letërsia me emra të konsoliduar, klasike apo moderne qoftë, por dhe emra “të rinj” që futen hera herës në këtë fond.

Titujt e rinj janë mënyra për t’i propozuar lexuesit autorë të tjerë, sa më të shumtë e të ndryshëm edhe si gjeografi. Synimi ynë këtë edicion, ashtu si dhe çdo edicion tjetër është krijimi i një klime miqësore, nën një strehë të përbashkët, mes tre brinjëve të trekëndëshit Autor- Botues- Lexues. Kjo nëpërmjet takimeve me autorë të ndryshëm, shkëmbimit të përvojave krijuese e botuese, mbajtjes së tavolinave të rrumbullakta me botues nga vende të ndryshme.

Këtë edicion, kemi dhe përfaqësimin e autorëve nga Britania e Madhe por edhe atyre që shkruajnë dhe botojnë përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky panair është totalisht përçues i fjalës shqipe. Fakti që në këtë Panair përfaqësohen pothuaj të gjitha vendet dhe trevat ku shkruhet e botohet fjala shqipe, duke filluar nga atdheu ynë dhe deri tek ngulimet e hershme e të vona shqiptare në botë, tregon  se filli i artë është pikërisht përçimi i kësaj fjale, fjalës shqipe, krijimi i kontakteve sa më të mira me lexuesin e saj kudo që ndodhet, që në këto ditë kthehet të pushojë në qytetin tonë, në bregdetin e Durrësit.”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb