Teksa na ndajnë 73 ditë nga dita e zgjedhjeve të 25 prillit, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi vjen më një thirrje drejtuar partive politike në vend.

Përmes një postimi në Twitter, Celibashi thekson se fushata do të nis 30 ditë para zgjedhjeve. Sipas Celibashit, subjektet politike dhe kryetarët e bashkive duhet të plotësojnë detyrimet e përcaktuara në nenin 79 të Kodit Zgjedhor.

MESAZHI I CELIBASHIT
Fushata zgjedhore sipas Kodit Zgjedhor fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Me afrimin e fushatës zgjedhore u bëj thirrje subjekteve politike dhe kryetarëve të bashkive të plotësojnë detyrimet e përcaktuara në nenin 79 të Kodit Zgjedhor.

Sipas KQZ-së, kryetarët e bashkive duhet të ushtrojnë në mënyrë të drejtë dhe brenda afateve ligjore, diskrecionin e ligjshëm në përcaktimin e vendeve ku do të afishohen materialet propagandistike.
Ky institucion sqaron se partitë politike dhe subjektet zgjedhore duhet të përmbahen në respektimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor dhe të mos afishojnë materiale propagandistike përpara fillimit të fushatës së zgjedhjeve.

“Ju kujtojmë subjekteve politike dhe organeve drejtuese të njësive të vetëqeverisjes vendore se Kodi Zgjedhor parashikon afishimimin e materialeve propagandistike në ambiente e përcaktuara publike dhe në zyrat elektorale të partive politike, vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Fushata zgjedhore sipas Kodit Zgjedhor fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politik dhe shoqërisë civile që të respektojnë këto detyrime ligjore, në mënyrë që të mos cënohet liria e votuesve për të formuar opinionin e tyre neutral, jashtë intervaleve kohore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: