13 fitore radhazi! Celsi ka hyrë në historinë e futbollit anglez, duke arritur një sukses fantastik pas dominimit ndaj Stoke City (4-2), në ndeshjen e javës së 19-të të Premierligës të shtunën.

Më parë, ishte vetëm Arsenali që kishte realizuar 13 fitore radhazi në Premierligë gjatë një sezoni, në atë 2001-2002. Në elitën angleze të futbollit, vetëm Preston North End dhe Sunderland në 1891-1892, në një tjetër epokë, kishin arritur një sukses të tillë!

“Shifrat nuk janë të rëndësishme nëse ne nuk fitojmë titullin”, është shprehur trajneri italian i Celsit, Antonio Conte. “Djemtë ishin fantastikë, por ne duhet të përqendrohemi në pjesën e dytë të sezonit”.

Blutë, kryesues të kampionatit, mund të thyejnë rekordin nëse të mërkurën triumfojnë ndaj Tottenham, në derbin e vështirë londinez.

Celsi qëndron i shkëputur në krye të Premierligës, duke humbur për herë të fundit në kampionat para tre muajsh, më 24 shtator në fushen e Arsenalit (3-0).

Ndërkohë, Liverpuli që mundi Manchester City 1-0 (goli i Wijnaldum) ka konsoliduar vendin e dytë në kampionatin e Anglisë (43 pike), duke ndjekur Celsin (49 pike), ndërsa City është në vendin e 3-të.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: