Skuadra e Çelsit ka arritur një fitore bindëse ndaj Suonsi Sitit, me rezultatin 5-0, në kuadër të xhiros së 22-të të kampionatit anglez, duke shkatërruar kundërshtarin që në pjesën e parë. Golat për ekipin e portugezit Zhoze Murinjo, u shënuan nga braziliani Oskar (1′ dhe 36′), spanjolli Diego Kosta (20′ dhe 35′) dhe Andre Shyrrle në minutën e 80-të. Pas kësaj fitoreje, Çelsi është ngjitur në kuotën e 52 pikëve, pesë më shumë sesa Mançester Siti, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, por që është mjaft delikate, pasi kampionët e Anglisë presin në shtëpi Arsenalin. Me rezultatin 2-0, Liverpuli ka fituar si mysafir i Aston Vilës në “Villa Park”. Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë, “Reds”-at arkëtuan pikë të plota. Fabio Borini realizoi në minutën e 25-të dhe i dërgoi të besuarit e Brendan Rodxhersit në pushim me epërsi. Fitoren e vulosi Riki Lambert në fraksionin e dytë, kur në minutën e 79-të, dyfishoi rezultatin. Liverpuli është në vend të shtatë me një pikë prapa Arsenalit, por “topçinjtë” nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e kësaj jave, ndërsa luajnë kundër Mançester Sitit. Mançester Junajtidi ka shënuar dy gola në shtëpi të Kuins Park Rejxhërsit, duke e marrë fitoren në gjysmën e dytë të ndeshjes, pasi asnjëra nga skuadrat nuk arriti që të shënojë gol në gjysmën e parë. Maruan Felaini e shënoi golin e parë në minutën e 58-të, ndërsa Xhejms Uilson e dyfishoi epërsinë në fund të takimit (90’+4). Pas kësaj fitoreje, Mançester Junajtidi kthehet në vend të tretë në tabelë me 40 pikë, një më shumë se vendi i katërt.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: