Për afro dy muaj me radhë, nga 1 marsi deri më 21 prill 2021, në Maqedoninë e Veriut do të bëhet regjistrimi i popullsisë. Ky cencus, bëhet pas 20 vjetësh dhe në këtë periudhë është mjaft i rëndësishëm për shqiptarët e këtij shteti. Por, sipas legjislacionit maqedonas, të drejtën për t’u regjistruar e kanë dhe të gjithë ata persona që kanë lindur në Maqedoninë e Veriut, por që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit. Mundësia u është ofruar për regjistrim online deri më 21 prill, ora 24.00. Procesi i regjistrimit online të diasporës kryhet nëpërmjet një aplikacioni që është funksional gjatë gjithë kohës.

Në këtë kuadër, si një domosdoshmëri dhe rëndësi e veçantë për  shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe si një akt kombëtar, filantropi dhe biznesmeni i njohur, Lazim Destani, iu ka bërë një thirrje publike të gjithë mërgimtarëve të diasporës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, që të regjistrohen sa më parë. Edhe si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, Z.Destani i kërkon diasporës në fjalë, që ta shohin këtë rast, si një moment historik që “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të marrin hisen që iu takon”.

Më poshte gjeni kërkesën e plotë të Z.Destani, si dhe linkun ku secili mund të regjistrohet online:

“Apel mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut, REGJISTROHUNI !

Të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë, qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut! Përmes këtij apeli po Ju drejtohem për ta theksuar e për ta risjellë në vëmendjen e çdonjërit peshën e jashtëzakonshme që ka akti i regjistrimit, pasi ky nuk është vetëm akt qytetar, por gjithësesi është edhe akt kombëtar, andaj, REGJISTROHUNI!

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës sonë, Ju bëj thirrje të gjithëve kudo që ndodheni jashtë vendit, me punë e aktivitete anekënd botës. Siç jeni në dijeni, tashmë gati dy dekada pas regjistrimit të fundit, nga data 1 Mars ka nisur regjistrimi i popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përfundon më 21 Prill.

Ashtu siç jemi treguar gjithmonë të gatshëm dhe aktiv për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare, le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithësecili prej nesh, duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët.

Regjistrimi i popullatës së një vendi vërtet është një akt me karakter statistikor, por bazuar në sistemin juridik e kushtetues që ka Maqedonia e Veriut, regjistrimi është shumë më shumë se thjesht statistikë. Sipas këtij sistemi, rezultatet e regjistrimit e përcaktojnë edhe bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që na takon si etni në këtë vend.

Ky është linku i aplikacionit të publikuar nga Enti Shtetëror për Statistikë ku duhet të regjistroheni vetë, duke e plotësuar online formularin sipas udhëzimeve të dhëna:

https://census.stat.gov.mk/al/

Regjistrohuni sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë, si dhe shpërndajeni njoftimin te të afërmit dhe miqtë tuaj që mund të jenë të painformuar!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb