Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministri për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi është takuar sot në Tiranë edhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë si dhe Regjistrimi i popullsisë në RMV, si një nga proceset më të rëndësishme në vend ishte temë e bisedës mes Grubit dhe Kryemadhit.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi me këtë rast ka kërkuar nga Kryemadhi që përmes strukturave të partisë që ajo udhëheq t’i bëj ftesë diasporës së Republikës së Maqedonisë së Veriut që jeton në mërgim që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit.

Ndërkohë, znj. Kryemadhi i ka thënë Grubit se qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë dhe veprojnë në diasporë duhet të shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi pasi nga ky proces varen shumë gjëra në të gjitha fushat e veprimit në RMV.

Të dy bashkëbiseduesit, Grubi dhe Kryemadhi janë dakorduar se tash është momenti që e gjithë diaspora e Maqedonisë së Veriut të kryej detyrën dhe obligimin e vet dhe me dinjitet të kontribuojë për të mirë e të gjithë qytetarëve, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por dhe në rajon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb