Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë festuar këtë 6 janar ditën e Ujit të Bekuar. Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Procesioni nisi me meshën në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtareve iu drejtua shatërvanit në sheshin “Europa”, ku çdo vit bëhet hedhja e kryqit në ujë.

Tre të rinj u hodhën sipas zakonit në ujë për të marrë kryqin, edhe pse temperaturat këtë të hënë ishin tepër të ulëta.

Ishte 16-vjeçari, Athanas Davidhi, ai që nxori kryqin nga uji, për të gjashtin vit radhazi. I riu ia ka dorëzuar kryqin metropolitit të Apolonisë dhe Fieirt, At Nikolla, duke marrë bekimin e tij.

Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë i parapriu mesha në kishën e Shën Gjergjit, aty ku qindra besimtarë morën në shtëpi edhe ujin e bekuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb