Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Materialet e pakta arkivore tregojnë:

– Reagimin e menjëhershëm nga Byroja Politike;

– Enver Hoxha argumenton alibinë e tij;

– Enver Hoxha kërkon të mbeten me shkrim në protokollin e mbledhjes mendimet e tij për të dokumentuar alibinë dhe për të përgënjeshtruar fakte, të dhëna apo prova që mund të gjendeshin apo do të interpretoheshin ndryshe më vonë.

– Fakti i vizitës familjare për të uruar Mehmetin dhe fotografitë e bëra që e dokumentonin këtë vizitë argumentohen nga Enver Hoxha për të tërhequr vëmendjen në demaskimin e qëndrimeve politike që mund të mbaheshin nga Arshi Pipa, i vënë në fokusin e akuzave si shkaku politik i legjendës kundër Mehmet Shehut.

Fjala e Enver Hoxhës dhe diskutimet në mbledhjen e datës 18 dhe 19 dhjetor 1981, pas “vetëvrasjes”, u dëgjuan ashtu siç qenë bërë, të regjistruara në magnetofon nga gjithë Plenumi i Komitetit Qendror, nga aktivet e Partisë, kuadrot kryesorë të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Mbledhja e Byrosë Politike është dokumentuar në procesverbalin e mbajtur. Ndihmojnë edhe të dhënat e publikuara nga personat që kanë dëgjuar, më 20 dhjetor 1981, incizimin e dërguar direkt nga Komiteti Qendror me porosi nga Ramiz Alia, dhënë personalisht ministrit të Punëve të Brendshme Feçorr Shehu për t‘u dëgjuar nga kuadrot kryesorë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit.

Mendohet se në seksionet sekrete të Sigurimit të Shtetit përcillej i incizuar me saktësi absolute. Megjithatë, kjo nuk mund të vlerësohet absolute. Edhe ndaj këtyre kuadrove, ku bazohej puna e fshehtë agjenturore për realizimin e porosive të udhëheqësit, nuk përjashtohet, se edhe në këto raste zbatohej rregulli rigoroz i saktësimit në procesverbale i përmbajtjes që miratohej direkt nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia.

Qëndrimi zyrtar për njoftimin e vdekjes dhe të varrimit të kryeministrit në detyrë

Më 19 dhjetor 1981 u bë njoftimi zyrtar nga organet më të larta të Partisë së Punës dhe të shtetit se “Mehmet Shehu, në një moment krize, vrau veten”. Një ditë më pas, më 20 dhjetor 1981, ditën e nesërme pas varrimit të tij, u deklarua qëndrimi tjetër zyrtar, se “Mehmet Shehu është armik dhe poliagjent”. Familja e kryeministrit ka deklaruar menjëherë mbështetjen e plotë me qëndrimin zyrtar të udhëheqjes së partisë dhe të Enver Hoxhës. Edhe Skënder Shehu, që ndodhej jashtë shtetit me studime, ka deklaruar se fillimisht ka besuar se babai është vetëvrarë.

“Mamaja Fiqireti më ka treguar për rrethanat në të cilat ai ndërroi jetë dhe për letrën që kishte lënë. Nga gazetat e botuara në Suedi mësova se atë e kanë vrarë”.

Organet më të larta të Partisë dhe të shtetit mbajtën të fshehtë për një ditë lajmin e vdekjes. Duket se ajo kohë nuk ka qenë e mjaftueshme për të koordinuar të gjitha interesat para se të bëhej njoftimi zyrtar për vdekjen dhe varrimin sa më të shpejtë të kryeministrit. Nuk bëhen njoftime për hetimin dhe sqarimin e ngjarjes së papritur, të ndodhur në rrethana misterioze dhe me dyshime që konstatoheshin lehtë nga njoftimi dhe motivi i deklaruar. Për vdekjen dhe respektimin e figurës së kryeministrit nuk janë zbatuar rregullat në fuqi për rastet e vdekjeve të personaliteteve të larta shtetërore, të parashikuara në Protokollin e Shtetit.

Njoftimi, veprimet paraprake dhe përfundimi i procedurës së varrimit janë kryer si për një rast të zakonshëm, të një vdekjeje të papritur e të dyshimtë, e cila kërkohej të mbyllej sa më shpejt që të ishte e mundur. Qëndrimi zyrtar dokumentohet dhe bëhet i njohur në njoftimin telegrafik të mëposhtëm të organit më të lartë të Partisë së Punës.

NJOFTIM i KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË

KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË

Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë njoftojnë se natën duke u gdhirë data 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, vrau veten.

KOMITETI QENDROR i PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

PRESIDIUMI i KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË

KËSHILLI i MINISTRAVE TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË

Nekrologjia për biografinë e tij kufizohet në njoftimin telegrafik të motivit të vdekjes dhe në të dhënat kryesore të veprimtarisë së tij. Vdekja e personaliteteve të larta të Partisë së Punës dhe të shtetit të asaj kohe është njoftuar duke u bërë edhe nekrologjia e jetës dhe veprimtarisë së tij. Ato kishin në përmbajtje vlerësime pozitive të kontributit të dhënë, si dhe citime direkt nga udhëheqësi Enver Hoxha. Në rastin e Mehmet Shehut bëhet vetëm radhitja biografike e jetës së tij dhe përmendet vetëm një herë, se pas Çlirimit Partia ke vlerësuar meritat e tij.

NEKROLOGJI

Natën në të gdhirë të datës 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, vrau veten. Shoku Mehmet Shehu lindi më 10 janar 1913, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Mbasi mbaroi shkollën fillore në fshat, vazhdoi shkollën e mesme teknike të Tiranës.

Në nëntor të vitit 1937 shkoi në Spanjë, ku mori pjesë në Brigadën e 12 ndërkombëtare. Pas luftës së Spanjës, në shkurt të vitit 1938, u internua në kampet e përqendrimit të Francës. Në gusht të vitit 1942 kthehet në Shqipëri. Në shkurt të vitit 1943 u caktua komandant i çetës së parë të Mallakastrës dhe në gusht të atij viti, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, u emërua komandant i Brigadës së 1-rë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Në Konferencën e 1-rë të Vendit të Partisë në Labinot, shoku Mehmet Shehu u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror të Partisë, në Kongresin e 1-rë të Përmetit u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në gusht të vitit 1944 emërohet komandant i Divizionit të 1-rë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pas Çlirimit Partia, duke vlerësuar meritat e tij, e ka zgjedhur, që nga Kongresi i 1-rë i Partisë dhe në të gjitha kongreset e tjera, anëtar të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike të KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Ai ishte ngarkuar vazhdimisht me detyra të rëndësishme si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, zëvendëskryeministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe që nga viti 1954 kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Përmbajtja e këtij dokumenti zyrtar botohet sipas njoftimit të bërë në gazetën ‘Zëri i popullit’ më 19 dhjetor 1981.

Nuk mund të mos kalojë pa u vënë re se ashtu si njoftimi dhe kronologjia ishin të thata, po ashtu asnjë koment apo njoftime të veçanta nga institucionet e larta shtetërore dhe të drejtësisë për rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Kryeministrit të Shqipërisë. Heshtje varri. Institucionet më të larta të Partisë dhe të shtetit bëjnë vetëm një njoftim telegrafik për vdekjen e një burri shteti që ka kontribuuar për një periudhë afro dyzetekatërvjeçare. Nuk jepet asnjë njoftim nga organet e drejtësisë, nga Hetuesia ose nga Prokuroria për masat ligjore të marra në zbatim të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, për fillimin e menjëhershëm të çështjes, hetimin e rrethanave dhe të shkaqeve të vdekjes së papritur të Kryeministrit. Ky qëndrim pasqyrohet edhe në ceremoninë e varrimit.

Ceremonia e varrimit të Kryeministrit Mehmet Shehu bëhet në varrezën qytetare

Protokolli shtetëror parashikonte rregullat për ceremoninë e lamtumirës për personalitetet e larta. Këto rregulla nuk do të respektoheshin për vdekjen e kryeministrit në detyrë Mehmet Shehu. Varrimi i tij u nënvleftësua nga partia-shtet dhe është urdhëruar të bëhet vetëm me pjesëmarrjen e rrethit të ngushtë familjar në varrezën qytetare, në Sharrë, në Tiranë. Nuk është dhënë asnjë njoftim paraprak në medien zyrtare, radio, televizion apo në gazetën ‚Zëri i popullit‘ ose gazetat e tjera zyrtare të kohës. Nuk u organizua asnjë ceremoni apo aktivitet qoftë edhe i vogël për varrimin e kryeministrit në detyrë Mehmet Shehu më 19 dhjetor 1981.

Media elektronike, televizioni shtetëror dhe radioja RTSH më datën 19 dhjetor 1981, në lajmet e mbrëmjes, dhanë njoftime dhe pamje për ceremoninë e thjeshtë të varrimit në varrezën qytetare në Sharrë. Më datën 20 dhjetor 1981 u dha një njoftim i shkurtër edhe në gazetën ‚Zëri i popullit‘ për këtë ceremoni varrimi me pjesëmarrjen e rrethit të ngushtë familjar. i vetmi person me funksion të lartë shtetëror ishte Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Kiço Kasapi. Varrimi i kryeministrit në detyrë, një maskaradë që demaskoi partinë-shtet.

Më 19 dhjetor 1981, një ditë pasi Mehmet Shehu u gjet i vdekur, nën kujdesin e Kiço Kasapit, sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, u bë varrimi i tij. Arkivolin me trupin e Kryeministrit e hipën në një “Zuk” të zi, ndërsa pjesëmarrës në ceremoninë e përmortshme ishin vetëm familjarët. Komandanti i Gardës Kombëtare, Xhafer Peçi, ka shpjeguar se me ndihmën e Kiço Kasapit ai vuri në dispozicion dhjetë nga ushtarët e Gardës me qëllim që ta ndihmonin në problemet e varrimit. Në këtë mënyrë Mehmet Shehu, i cilësuar si “armik i popullit”, nuk kishte vend në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por në varrezat publike të Sharrës.

Ceremonia është zhvilluar në heshtje të plotë. Nuk është thënë asnjë fjalë për vdekjen e kryeministrit në detyrë. Në bazë të kritereve të atëhershme të miratuara dhe të kontributit personal, edhe me motivacionin zyrtar të vetëvrasjes, Mehmet Shehu e kishte vendin në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në kodrën e Saukut, pranë Pallatit të Brigadave. Nuk u deklarua asnjë ditë zie shtetërore. Nuk u ngrit flamuri në gjysmë shtizë. Nuk u ndërprenë programet artistike. Nuk u transmetuan marshet funebër, as në radion dhe as në televizionin shtetëror. Nuk u veprua njëlloj si në rastin e Nako Spirut, i cilësuar i vetëvrarë, i cili është varrosur me nderime shtetërore në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në bazë të Protokollit të Shtetit, në rastin e vdekjes së kryeministrit ishte e detyrueshme kryerja e ceremonisë zyrtare dhe e nderimeve të fundit për dhënien e lamtumirës për personin numër dy në piramidën partiake dhe shtetërore, udhëheqësin me kontribute të njohura shtetërore, drejtuesin e qeverisë për 27 vjet etj., të tij. Ceremonia zyrtare ka qenë e domosdoshme të kryhej edhe për t’u dhënë mundësi përfaqësuesve të shteteve të huaja, me të cilat qeveria e Shqipërisë kishte marrëdhënie diplomatike, si dhe udhëheqësve të shteteve që donin të shprehnin ngushëllimet dhe mendimet e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb