Përkujtimi i Luftës Nacional-Çlirimtare, betejave të ndryshme të batalioneve apo divizioneve të saj, gjithmonë kanë hapur debat sa i përket rikthimit të simboleve të komunizmit apo më keq akoma nderimit të figurës së diktatorit Enver Hoxha.

Por përveç simboleve tashmë pjesë e ceremonive zyrtare po bëhen edhe ish-drejtues të lartë të nomenklaturës komuniste.

Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Sarandës, me rastin e 34-vjetorit të Divizionit “Asim Zeneli”, bie në sy edhe pjesëmarrja e Kiço Mustaqit, ish-ministrit të Mbrojtjes në kohën e diktaturës, njëherazi ish-anëtarit të Byrosë Politike.

Referuar fotos që “BalkanWeb” ka siguruar nga ky aktivitet, Mustaqi, dallohet qartësisht si i ftuar nderi në tribunën ku janë ulur krah tij edhe kryetarja socialiste e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

Prania e Koçit në krah të Mustaqit në këtë aktivitet, i jep një dimension më solemn skandalit që përfshiu rreth 1 vit e gjysëm më parë ministrinë e Mbrojtjes, e cila dekoroi me rastin e festës së Çlirimit drejtues të lartë të PPSH-së, ish-Sigurimit të Shtetit deri edhe tek xhelatët e diktaturës, siç ishte rasti i torturuesit të At Zef Pllumit, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb