Nga Ben Blushi
CËRRIK, AS PRESJE AS PIK
Shkova në Cërrik të takoja Akiljanon. E kisha fotografuar përpara një muaji. Ai kishte ditlindjen në 24 Korrik dhe unë i kisha premtuar se do i çoja një peshqesh. Shkova 13 ditë me vonesë.
Pyeta disa vajza në shesh por ato nuk e njihnin. Meqë unë nuk mund ta pranoja se miku im dhjetëvjeçar Akiljano, mund të ishte kaq i panjohur në qytet, mendova se ato nuk e kuptuan se çfarë u thashë.
Kështu që, gjatë kërkimit të Akiljanos, vendosa ta ngadalësoj pak të folurën time të shpejtë dhe agresive prej kryeqytetasi mendjemadh.
Një grua që shiste misra të pjekur në trotuar, gjithashtu më tha që nuk e njihte Akiljanon.
Është një djalë me ngjyrë, i thashë
Po këtu shumica të zinj jemi, tha gruaja
Sa bën një misër, e pyeta
700, po meqë është krizë, 500. Do e blesh një?
Me gjithë qejf, thashë unë, po nuk i ha misrat, më mbeten fijet nëpër dhëmbë
Janë të vjetër, tha gruaja, nuk kanë flokë
Ndërkohë u afruan tre burra që na shikonin nga trotuari përballë.
Ky është Ben Blushi, tha njëri
Epo ç’ti bësh, thashë unë
Këtë e ke socialiste të flaktë, tha njëri, për gruan me misra
Unë nuk jam më socialist, thashë unë
Sa mirë që nuk je, tha gruaja, do përfundoje si unë në trotuar
Si quhesh, e pyeta
Roshe, tha gruaja
Bukuroshe, thashë unë
Unë jam, tha Bukuroshja, pastruese e Bashkisë, aktualisht në pension
Kush e njeh Akiljanon, thashë unë
E njoh unë, tha një nga burrat, është djali i Ditkës
Ouuu, tha Bukuroshja, po çe do ti djalin e Ditkës?
I kam sjellë një peshqesh se kishte ditlindjen, thashë unë
Mirë ke bërë se janë shumë fukarenj, tha Bukuroshja
Kush do ma gjejë Akiljanon, thashë unë
Po e marr të jëmën në telefon, tha burri, sa të vijë, ti bëj një shëtitje në Cërrik
Thuaj që e pres te Ora, thashë unë
Cërriku është një qytet i krijuar në letër. Në vitin 1947.
Njerëzit nuk kanë njohje më shumë se dy breza me njëri-tjetrin. Imagjinoni një vend ku askush nuk e di ku e ka patur shtëpinë stërgjyshi i filanit. Ose çfarë pune ka bërë daja i fistekut. Për njerëz si unë që jam rritur me gjyshe e me gjyshër, duket e çuditshme të jetosh në një qytet që në vitet 80, ndoshta, nuk ka patur asnjë gjyshe.
Sigurisht sot nuk është kështu. Sot në Cërrik ka më shumë gjyshër sesa fëmijë.
Nga ora katër, kur përvëlimi tipik i Cërrikut kthehet në vapë kritike, këta nxjerrin një tavolinë me dy karrige përballe derës së pallatit dhe rrinë aty.
Një pjesë e madhe e burrave i shfrytëzojnë tavolinat e shtëpisë, bordurat, ose stolat e lulishtes për të luajtur domino.
Domino për burra është sporti kryesor i qytetit.
Mendoni çfarë qyteti do ishte Cërriku sikur të ndodhte e kundërta.
Gratë të luanin domino nëpër rrugë. Vetëm, ose dhe me burrat e tyre. Pra të ishte domino për çifte. Cërriku do dukej si një provincë e dalë nga filmat e neorealizmit italian. Si një bocet i pambaruar i Federiko Fellinit.
Nuk kam as guximin dhe as fantazinë e mjaftueshme, për të parashikuar të ardhmen e Cërrikut, por nëse pas dyzet vitesh ky qytet do zbrazet nga njerëzit, ai mund të shërbejë shumë mirë si një cinecitta, si një qytet për të prodhuar filma. Si një studio gjigande. Sa bukur do ishte sikur në shtepinë e Bukuroshes, të jetonte një bukuroshe e kinemasë portugeze. Që xhiron një film në Cërrik. Do kënaqej çdo pasdite duke ngrënë misra.
Kalojmë te dominoja.
Kjo lojë ka disa avantazhe. E para mund ta luash ku të duash. E dyta është e lirë, nuk kërkon atlete, tuta, rrjeta, topa, tapa, rraketa e takëme të shtrenjta të sporteve të tjera. E treta, është e heshtur, pa zhurmë. Në përgjithësi luhet me pak tifozë dhe nuk kërkon as trainer, as arbitër.
E katërta, nuk shkakton dhimbje trupi, tërheqje muskulare, thyerje kockash dhe prandaj nuk ka faull. Domino luhet në mosha të mëdha. Ata që e luajnë janë burra me eksperiencë dhe kanë kohë sa të duash.
Unë kam parë shumë qytete ku luhen lojëra të tilla që mund të quhen edhe sporte pensioni. Në provincat e vogla, ku çdo njeri njeh çdo njeri, zhvillohen pa pushim kampionate dominoje nga ekipe që përbëhen të paktën nga dy burra. Ose edhe më shumë se dy.
Duke i parë sesi shijojnë pasditet, të mbledhur rreth disa gurëve me numër, që i fshehin në pëllëmbë, kam patur gjithmonë një pyetje. Çfarë bëjnë dy burra në provincat e vogla të Shqipërisë. E kam një përgjigje nga sa kam parë.
Në Korçë, dy burra, kur bëhen bashkë, shkojnë në pijetore. Në Shkodër, dy burra bashkë hipin në biçikletë. Në Elbasan, dy burra kur bëhen bashkë, shëtisin krah për krah. Në Laç dy burra kur bëhen bashkë, shkojnë gjithmonë në Lezhë. Në Gramsh dy burra luajnë gjithmonë shah. Në Cërrik dy burra luajnë vetëm domino.
Në Cërrik ka vetëm pallate. Tre katëshe. Nuk ka asnjë vilë. Ose më saktë nuk ka asnjë shtëpi private, siç i quanim ne që banonim në apartamente, shtëpitë e vjetra të ndërtuara para Çlirimit.
Cërriku nuk ka asnjë datë përpara Luftës së Dytë Botërore.
Askush nuk e ka sulmuar Cërrikun. Askush nuk ka luftuar për ta mbrojtur. Askush nuk ka vdekur për Cërrikun.
Aty nuk ka varreza me partizanë, lapidarë, heronj, armë të fshehura në tokë, kujtime me gjermanë, triçikla që i përdorte Kinostudio ose avlli nga ku komunistët kërcenin mbi armikun.
Heronjtë e fundit që kanë kaluar këtu, kanë qenë kinezë. 50 vjet më parë kinezët ndërtuan Radiostacionin e Cërrikut nga i cili, Shqipëria i fliste botës në shumë gjuhë, përfshi gjuhën mandarine ose kinezçe. Kush e di si tingëllonte në kinezçe, Ju Flet Cërriku.
Nga vjen emri Cërrik, pyeta një burrë që mu afrua në rrugë
Cërrik, as presje as pik, tha burri
Çdmth as presje as pik, thashë unë
Dmth që ne në Cërrik i themi gjërat siç janë, troç, daç rri daç ik, tha burri
Do rri dhe pak, thashë unë
U futa në google dhe zbulova se fjala cërrik do të thotë, një dru në të cilin varet duhan për tu tharë.
Meqë ai që e ka projektuar, e ka patur të lehtë të hedhë viza mbi një fushë, qyteti ka rrugë të drejta, trotuare të gjëra dhe pallate të vendosura paralel me rrugën.
Rruga kryesore, nga e cila hyet në Cërrik, mbaron te dera e një shkolle. Pas shkollës ka sërish fusha të mbjella dhe asnjë ndërtim.
Mua mu duk e habitshme sesi një rrugë që përshkon një qytet, mbaron te oborri i një shkolle, por pastaj u kujtova se në Tiranë ndodh e njëjta gjë. Bulevardi kryesor i Tiranës fillon te Treni dhe mbaron te Universiteti.
Këtë mënyrë krahasimi me qytetet e tyre, duhet ta përdorin të gjithë ata që shkojnë në Cërrik. Është e vetmja mundësi që ky qytet të duket normal dhe jo aq i çuditshëm.
Në mes të kësaj rruge, tani kanë ndërtuar një orë betoni, rreth 10 metra të lartë. Për shkak të Orës që përbën monumentin e vetëm në qytet, rruga që bashkon botën jashtë Cërrikut, me pjesën e brendshme të Cërrikut, është ndërprerë.
Ora e Cërrikut, si çdo ngrehinë pa dritare, ka dy pamje. Një ballore dhe një të pasme.
Kur dielli shkon në perëndim, pjesa e pasme e Orës shërben si hije për disa burra me kanatiere.
Unë nuk kam shkuar në Cërrik asnjëherë paradite. As në mbrëmje. Dhe meqë kam shkuar vetëm pasdite nuk e di si është mëngjesi, apo nata.
Por sa herë që kam shkuar, Ora e Cërrikut ka qenë e mbetur. Ajo nuk lëviz.
Nga pjesa ballore ora është gjithmonë 19.42. Pra njerëzit që jetojnë në perëndim të qytetit kanë vetëm pasdite. Në këtë zonë në fakt bëhet xhiro, luhet domino dhe ndodhen lokalet më të shtrenjta.
Nga pjesa e pasme, ora ka ngecur në 12.52, që do të thotë se ata që jetojnë në lindje kanë vetëm drekë. Kjo duhet të jetë e vërtetë se në këtë zonë të qytetit, njerëzit mu dukën më të shëndoshë. Andej janë dhe dyqanet që shesin ushqime dhe në rrugë piqen qofte zgare.
Ata që e kanë projektuar Orën, nuk kanë bërë një shkallë të brendshme si në të gjitha ngrehinat e larta që kërkojnë mirëmbajtje.
Ndoshta ata kanë menduar se Ora e Cërrikut nuk do mbetej kurrë.
Por për fajin e projektuesve, Cërriku vuan stresin postkonsumator të të gjithë atyre, që duan të zbukurohen pa bërë llogari.
Kur blen një palë këpucë të reja, të duhen dhe një palë pantallona, pastaj pantallonat kërkojnë një bluzë në ngjyrën e tyre, pastaj bluza i do një palë syze ku të reflektojë ujërat e saj dhe natyrisht syzet e kërkojnë një model tjetër flokësh.
Me pak fjalë, çmimi i këpucëve është i barabartë me, çmimin e përbashkët të gjithë këtyre sendeve, përfshi shërbimin e berberit ose parukieres.
Kështu i ka ndodhur dhe nevojës së Cërrikut për tu zbukuruar pa plan.
Kostoja e Orës së Cërrkut është një shumatore e betonit, hekurit, akrepave dhe vinçit që duhet ti rrotullojë këto akrepa, sa herë që Ora mbetet.
Ky vinç, nëse ai është ende aktiv, i ishte ngjitur Orës së Cërrikut për herë të fundit përpara dy vitesh.
Këtë ma tha një nga burrat me kanatjere që rrinin nën hijen e Orës.
Ja ta solla Akiljanon, më tha njëri
Ku je Akiljano, i thashë
Paske ardhur, tha Akiljano
Të thashë që do vija kur të bëje dhjetë vjeç, thashë unë
Unë e kisha në 24 Korrik, tha Akiljano, je me vonesë
Të kam sjellë një peshqesh, thashë unë
Ça më ke sjellë, tha Akiljano
Më thuaj a ishe në kursin e kishës siç më premtove, e pyeta
Isha, tha Akiljano
Ça mësove aty, e pyeta
Aty hashim pishim, tha Akiljano
Pra mësove hash pish, thashë unë
Nganjëherë edhe loznim, tha Akiljano
Ça do të bëhesh, e pyeta
Dua të bëhem polic, tha Akiljano
Po pse do të bëhesh polic, e pyeta
Se nuk dua të më rrahin më, tha Akiljano
Kush të ka rrahur, e pyeta
Një plakë që shet akullore më theu drurin në kurriz, tha Akiljano
Çfarë i bërë plakës, thashë unë
Asaj i ka ardhur rradha për të vdekur, tha Akiljano
More akullore pa leje, e pyeta
Më thuaj pra çfarë më ke sjellë për ditlindje, tha Akiljano
Futi në xhep, thashë unë
Mamaja ime, të njihte ty, tha Akiljano
Thuaj mamasë që erdha dhe të takova, thashë unë
Kur do vish prapë, pyeti Akiljano
Ndoshta vi pas një viti, thashë unë
A do të ngjitem të Ora të më bësh fotografi, tha Akiljano
Ngjitu, thashë unë
Akiljano vrapoi disa herë mbi pjesën ballore të Orës që unë ta fotografoja siç kisha bërë edhe para një muaji.
Kur krahasova fotot, pashë që qielli i Cërrikut ishte njëlloj. Pa re. Ora ishte njëlloj. 19.42.
Akiljano mu duk më i madh dhe më i guximshëm se para një muaji.
Ai është një fëmijë që vrapon të kapë Orën e mbetur të qytetit të vet.
Unë shpresoj t’ja arrijë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb