Të 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të takohen në Bruksel për të vlerësuar strategjitë e tyre kundër Covid-19 dhe ndryshimeve klimatike.

Në ditën e dytë të takimit të tyre në kryeqytetin belg, krerët e BE-së pritet të diskutojnë hapjen e bllokut për turizmin me ndihmën e certifikatës së sapo krijuar Covid-19.

Certifikata tregon nëse një person është vaksinuar, i shëruar nga sëmundja apo është testuar negativ për virusin.

Sidoqoftë, u takon qeverive kombëtare të vendosin se cilat përfitime ofrohen me prova të tilla si heqja dorë nga kërkesa për karantinë ose lejimi i hyrjes në kinema.

Gjatë bisedave me homologët e tij, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç shprehu mbështetjen e tij për heqjen e kufizimeve për mbajtësit e certifikatave.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për rifillimin e ekonomisë sonë dhe për lëvizjen e lirë të punëtorëve, por gjithashtu për lëvizjen e lirë të turistëve”, tha ai.

“Ne besojmë se tani të gjithë ata që janë shëruar nga Covid, të cilët janë testuar ose janë vaksinuar, do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe shpejt përtej kufijve të Bashkimit Europian”, tha ai.

Udhëheqësit pritet gjithashtu të diskutojnë eksportet e vaksinave, me disa që propozojnë të dhurojnë një shtesë prej 100 milionë dozash për vendet joanëtare të BE deri në fund të vitit.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb