NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka publikuar listën me emrat e 73 farmacistëve që i kanë certifikatat e anëtarësimit gati. Pajisja me këtë certifikatë është një kusht për ushtrimin e profesionit. “Certifikata e anëtarësimit është dokumenti zyrtar i lëshuar nga Urdhri, që vërteton anëtarësimin për të drejtën e ushtrimit të profesionit, në funksionin e përcaktuar të një veprimtarie farmaceutike”, sqaron Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë.

Nëpërmjet një shkrese për vlefshmërinë e certifikatave të anëtarësisë së farmacistëve, drejtuar Milva Ekonomit, drejtoreshës së përgjithshme të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) dhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, UFSH u kërkon që të njohin vetëm certifikatat e reja që kanë dalë pas datës 1.07.2015. Po ashtu, nga ana tjetër, presidentja e UFSH u ka kërkuar që të mos ndërhynë në kompetencat e tyre me shtimin e afatit të një dokumenti që nuk e lëshon FSDKSH, por Urdhri i Farmacistëve.

“Nuk është as detyra, as kompetenca e institucionit tuaj që të vendosni për zgjatjen e afatit të një dokumenti të lëshuar nga një institucion tjetër legjitim. I vetmi institucion i ngarkuar me ligj për regjistrimin, pajisjen me certifikatë anëtarësimi dhe ricertifikimin e farmacistëve është UFSH”, shkruhet në shkresën e UFSH, drejtuar ministritë Beqaj dhe drejtoreshës së Fondit, Milva Ekonomit.

Më tej në shkresën e presidentes së UFSH, Diana Toma shkruhet se: “Çdo pranim nga ana juaj i certifikatave me afat të përfunduar për lidhje kontrate është tejkalim kompetencash dhe shkelje ligji. Për këtë arsye, UFSH kërkon nga FSDKSH që të pranojë si dokumente të vlefshme vetëm certifikatat e reja, të cilat janë lëshuar nga data 01.07.2015, të gjitha certifikatat e tjera e kanë humbur vlefshmërinë, rrjedhimisht individët që nuk janë të pajisur me certifikatë anëtarësie të vlefshme nga UFSH nuk mund ta ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, në të kundërt do u drejtohemi organeve të drejtësisë për të gjykuar mbi ligjshmërinë dhe përgjegjësinë e zbatimit të këtij udhëzimi”.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: