News24 siguron të plotë dosjen hetimore për ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili përfundoi në qeli me urdhër të SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy episode.

I pari lidhet me një pallat në Durrës ndërsa episodi i dytë lidhet me projektin e njohur si Promenada që synonte zhvillimin e bregut të Currilave.

Gazetarja Klodiana Lala referuar dosjes hetimore, thotë se historia daton vite me parë kur biznesmeni Fiqiri Farruku kërkoi leje ndërtimi për një objekt shtatë katësh.

Bëhet fjalë për korrikun e 2010. Në dhjetor të njëjtit vit, ai kërkon shtese leje për 3 kate te tjera plus papafingo.

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako pasi njihet me kërkesat ia kalon urbanistikës.

SPAK sqaron se punimet në pallat kanë filluar që në 2011 dhe në shtator të këtij viti është hedhur soleta e katit të 11, konfirmuar kjo me imazhet e Google Earth.

“Dy ditë pasi ndërtimi karabina ka përfunduar, KRRT e Durrësit me në krye Dakon ka miratuar shtesën e lejes, pa marrë mendim nga Këshilli Teknik”, thuhet në dosje.

Pavarësisht këtij vendimi, leja nuk është zbardhur, ndërkohë banorët kanë filluar të hyjnë në apartamentet e tyre.

Sipas dosjes, leja është zbardhur në vitin 2014 dhe në këtë kohë, topografët dhe arkitektët kanë prodhuar dokumente false, për kontrollet teknike, që do duhet të ishin bërë që në 2011. Ndërsa rezulton se destinacioni i kateve të godinës kishte ndryshuar.

Nga ana tjetër thekson prokuroria, zyrtarët e bashkisë kanë bërë certifikimin e objektit 11 katësh, pa patur një ekspertizë sizmiologjike. Ndërkohë Vangjush Dako, edhe pse ishte në dijeni se ndërtesa ishte ngritur pa u miratuar leja e re, por edhe faktit që leja ishte shkelur, pasi me firmën e tij, kompanisë I ishin pezulluar punimet, ka miratuar lejen e re duke bërë në fakt legalizim i ndërtesës së ngritur në mënyrë të paligjshme.
Punimet supervizoheshin nga një pensionist atëkohë 79-vjeçar, që nuk kishte licensë, i cili më pas ndërroi jetë.

Ndërsa projekti i dytë për të cilin akuzohet Vangjush Dako ka të bëjë me një procedurë prokurimi në vitin 2014 për mbushjen me rërë në plazhin e publik nga Bërryli deri në Currila. Për këtë projekt kryetari i bashkisë së Durrësit të asaj kohe Vangjush Dako ngriti një grup pune anwtarët të cilët kishin si detyrë përcaktimin e termave të referencës dhe fondin limit.

Procedura e tenderit është gjetur me shkelje, nga ana e KLSH, por Dako edhe pse në dijeni të këtij fakti ka vijuar me pagesën për kompaninë private, duke thelluar me tej dëmin.

Sipas SPAK buxhetit të bashkisë i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 18 mln lekësh.

Për këto dy çështje SPAK ka firmosur urdhër arrest jo vetëm për Vangjush Dakon, por edhe 9 ish zyrtarë të Bashkisë si dhe biznesmenit te kompanisë bashke me inxhinieren e firmës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb