13 efektivë të Forcave të Armatosura u certifikuan si pjesëtarët më të rinj të batalionit të Forcave Speciale.
Ushtarakët e rinj u bënë pjesë e njësisë elitë të Forcave të Armatosura pas përfundimit të kursit të 11-të bazë, të cilin e nisën 50 efektivë, por arritën ta përfundojnë vetëm 13.

Për plot 6 muaj kursantët iu nënshtruan një programi të ngjeshur stërvitor, ku përfshiheshin taktikat e njësive të vogla, taktika speciale, alpinizëm, zbulim special, luftim i afërt, stërvitje ujore dhe nënujore me dhe pa pajisje, mbijetesë etj.

Në ceremoninë e certifikimit të kursantëve ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, ushtarakë të lartë dhe familjarë të kursantëve.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Kollçaku paralajmëroi ndryshime rrënjësore në batalionin e Forcave Speciale, duke e kthyer vëmendjen nga efektivët e rinj dhe duke i kushtuar rëndësi të veçantë përgatitjes fizike.

“Në shtator–tetor do të bëhet testimi fizik i të gjithë Forcës Tokësore përfshirë edhe batalionin special. Të gjithë ata që nuk do të kapin normat në mënyrë graduale, do t’ua u lënë vendin nënoficerëve të rinj. Ne nuk do të harrojmë dhe nuk do të flakim në rrugë asnjë nga asetet më të mira që kemi në Forcat Speciale, por natyrisht për shkak të moshës dhe pamundësisë fizike, një pjesë e tyre do të vijojnë karrierën në Shkollën e Trupës, në Akademinë e Oficerëve, në Akademinë FA-ve apo në strukturat e kërkim – shpëtimit.”- theksoi gjeneral brigade Kollçaku.

Shumica e efektivëve nuk arritën ta përfundojnë kursin special për shkak të vështirësive dhe stërvitjeve ekstreme që zhvillohen përgjatë 6 muajve, por shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Kollçaku i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit, duke njoftuar se të gjithë ata që arritën të përfundojnë 3 muaj e parë të këtij kursi, mund të bëhen pjesë e forcave Komando.

Përpara certifikimit, kursantët demonstruan për të pranishmit disa nga veprimet që ata mësuan përgjatë 6 muajve të ndjekjes së kursit.
Në përfundim të ceremonisë u shpërndanë certifikata për kursantët që zunë tre vendet e para dhe për instruktorët e kursit të 11-të bazë të Forcave Speciale.

Më pas, 13 pjesëtarët e rinj të batalionit të Forcave Speciale vendosën mbi kokë beretën e kuqe që përfaqëson njësinë elitë të Forcave tona të Armatosura.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb