TIRANË- Policia e Shtetit në bashkëpunim me Programin ICITAP dhe UN Woman gjatë ditës së djeshme zhvilluan ceremoninë përmbyllëse të programit “Integrimi i Punonjëseve femra të Policisë së Shtetit në role Drejtuese Operacionale, Prill-Nëntor 2015”. Në fillim të vitit 2015 Policia e Shtetit filloi një projekt pikësynimi i të cilit ishte krijimi i mundësive për punonjëset e policisë me grada Drejtues, Kryekomisar dhe Komisar, që të marrin role Drejtuese Operacionale. Programi u iniciua nga ICITAP në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe përfshiu edhe partnerë të tjerë ndërkombëtar të rëndësishëm si: UNWOMEN, PAMECA IV dhe SACP.

Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, Drejtuesi i Programit ICITAP Z. Steve Bennett, Drejtues i UN Woman në Shqipëri Z. David Saunders, si dhe drejtuesi i grupit të punës në kuadër të këtij programi Drejtues i Lartë Altin Qato, Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike. Po ashtu të pranishëm ishin edhe drejtues e punonjës të tjerë të policisë dhe përfaqësues të organizmave të ndryshme të përfshirë në procesin e realizimit dhe mbarëvajtjes së programit, si dhe 5 punonjëset e policisë që u certifikuan në përfundim të trajnimit të zhvilluar, përkatësisht: Kryekomisare Anila Popa, Kryekomisare Lindita Nushi, Komisare Gjenovefa Budo, Komisare Valbona Aliaj (Hysomemaj) dhe Komisare Jonela Sulaj.

Gjatë fjalës së tij Drejtori i Policisë së Shtetit, theksoi se Integrimi Gjinor në Policinë e Shtetit, është një ndër elementët më të rëndësishëm të reformës për të pasur një shërbim policor profesional, transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, duke plotësuar të gjitha nevojat për siguri që ka komuniteti, të cilit i shërbejmë.
“Promovimi i vlerave të Diversitetit dhe Barazisë Gjinore, janë tepër të rëndësishëm jo vetëm për një policim të suksesshëm dhe efektiv, por edhe për të krijuar një mjedis ku të gjithë të ndihen të vlerësuar dhe të inkurajuar për të kontribuar me potencialin e tyre të plotë në shërbim të komunitetit. Gjatë këtyre viteve Policia e Shtetit ka ndërmarrë hapa konkret për arritjen e barazisë gjinore brenda radhëve të saj. Vendosja e kuotës prej 50% në rekrutim ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave me uniformë, duke arritur nga 6% në 10%. Miratimi i një politike dhe procedurave të trajtimit të ngacmimit në vendin e punës, si dhe trajnimi që ka filluar dhe po vazhdon në të gjitha qarqet, synon jo vetëm krijimin e një mjedisi të sigurt dhe atraktiv për gratë dhe vajzat por edhe krijimin e një kulture jo-diskriminuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë, brenda organizatës së policisë. Iniciativa e fundit për integrimin e grave dhe vajzave në role drejtuese operacionale, është një hap i rëndësishëm jo vetëm për të promovuar gratë dhe vajzat në nivele të larta të drejtimit por edhe për të thyer tabunë që ky është një profesion vetëm për burra…Në 15 vjetorin e Rezolutës 1325 “Gruaja Paqja dhe Siguria”, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, thekson se “Çdo reformë duhet të përfshijë si elementë të rëndësishëm të saj, barazinë gjinore dhe promovimin e grave dhe vajzave në role drejtuese”-vetëm kështu ajo mund të jetë e suksesshme.  Në këtë kontekst, iniciativa për integrimin e punonjëseve të policisë në role Drejtuese Operacionale, është një iniciativë që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, duke synuar të kemi më shumë gra dhe vajza Shefe Komisariatesh dhe Drejtore të Policive nëpër Qarqe dhe pse jo edhe Drejtore të Policisë së Shtetit.”- u shpreh Çako.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: