TIRANË

Analisti Fatos Lubonja shtron një pyetje tjetër, kur flitet për heshtjen e ndërkombëtarëve për zgjedhjen e Sali Berishës kryetar i PD. Lubonja pyet se ç’është kjo heshtje e ndërkombëtarëve kur vidhën votat, kur dalin patronazhistët apo kur del kryeministri dhe bën deklarata skandaloze. Ai tha në emisionin “Open” në News24 se kemi të bëjmë me një “qëndrim të konsoliduar të ndërkombëtarëve” ndaj Edi Ramës dhe regjimit.

“Unë e shtroj problemin ndryshe. Ç’është kjo heshtje e ndërkombëtarëve kur vidhen votat, kur dalin patronazhistët, kur del kryeministri dhe bën deklarata nga më skandalozet, mediat kazanë, nuk po i numëroj të gjithë. Ç’është kjo heshtje e ndërkombëtarëve?

Përmendët qëndrim i konsoliduar ndaj Berishës i SHBA-ve.

Mua më duket se kemi një qëndrim të konsoliduar në thonjëza të ndërkombëtarëve ndaj Edi Ramës, ndaj këtij regjimi. Atëherë pyetja ngrihet, shqiptarët që duan opozitë ndaj këtij regjimi a duhet t’i konsiderojnë ndërkombëtarët pjesë e kundërshtarëve të tyre ndaj të cilëve duhet të  bëjnë opozitë? Ky servilizmi që heshtën ndërkombëtarët, kjo është një politikë e kultivuar 30 vjet në Shqipëri nga një klasë politike e cila kërkon të legjitimohet me ndërkombëtarët duke vjedhur shqiptarët. Nga e cila duhet të shkëputemi. Sali Berisha nuk është shkëputur, por një opozitë e vërtetë e dua jo si këta, por një opozitë që bashkë me Edi Ramën iu tregon dhe ndërkombëtarëve vendin e tyre, gabimet e tyre se s’po them të bëhemi antiamerikanë. Amerika, Europa kanë bërë gabime pafund gjatë këtyre 30 viteve. Ka 30 vjet dhe tani po e fillokan reformën në drejtësi, sa para u harxhuan? Kë bërë ndonjë autokritikë që këtu gabim?”, tha Lubonja.

Sipas tij marrëdhëniet e Berishës me ndërkombëtarët rregullohen kur ai të marrë mbështetjen e popullit.
“Një opozitë që dua unë dhe si do t’i rregullojë Sali Berisha marrëdhëniet me SHBA?
Marrëdhëniet me SHBA-të rregullohen kur ti merr mbështetjen e popullit shqiptar, sa e merr, sa nuk e merr është tjetër gjë dhe i rregullon që çke me të se i rregullojnë amerikanët me ty, boll të marrësh pushtetin. Non grata ka qenë dhe Netanjahu dhe kryeministri i Indisë, por u bënë figura, nuk janë më non-grata.
Po të isha Lulzim Basha në krye të partisë dhe të më thoshin që duhet të heqësh Berishën, do ju thosha ky është gabim politik, ju duhet të merreni me Edi Ramën që ka 8 vjet në pushtet”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb