TIRANË- Një ditë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka vendosur të ‘zbusë’ masën e sigurisë duke lënë në arrest shtëpie financieren e Francesco Becchetit, pronarit të shoqërisë “AgonSet”. Sipas vendimit të gjykatës, Erjon Troplini do të mbahet në “Arrest shtëpie”, për shkak se ka një vajzë të vogël.

Ndërkohë po sot, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, për Pranvera Gjikën, drejtoreshë e një banke të nivelit të dytë, e cila u ndalua së bashku me Troplinin, pasi sipas Prokurorisë rezultuan të përfshira në një skemë të pastrimit të parave që drejtohej nga Beccheti. Të dyja zonjat kanë arritur të lënë qelitë 24 orë pas arrestimit, pasi janë nëna me fëmijë nën 20 muajsh.

Ndërkohë avokati mbrojtës i Troplinit, Theodhori Sollaku deklaroi se nuk ka akuzë nga prokuroria për klienten e tij por vetëm dyshime, duke u shprehur se me këtë vendim Gjykata ‘riparoi” vetveten.

“Veprimet e prokurorisë janë të nxituara. Nuk është arritur të provohet pastrimi i parave. Nuk ka akuzë nga prokuroria por vetëm dyshime. I është deklaruar Troplinit se ajo duhej të kishte dijeni për transaksionet që bëheshin për pastrim parash”, ka thënë Sollaku.

Ndërkohë burime nga prokuroria pohojnë se dosja hetimore për çështjen “Beccheti” është një ndër dosjet më voluminoze, madje i ka kaluar përmasat e dosjes “Gërdeci” apo asaj të “BSH-së”, pasi bëhet fjalë për kompani të mëdha. Gazetarja Klodiana Lala, raportoi nga Gjykata se për këtë çështje organi i akuzës ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve italiane. Ka të paktën 4 letër-porosi ku është kërkuar llogari për pasuritë që disponon Beccheti dhe familjarët e tij në Itali, por nuk ka ende një përgjigje. Ndërkohë një bankë e fuqishme, që operon në BE, ka deklaruar se nuk mund të japë informacion për klientët e saj, çka përbën një sfidë për organin e akuzës në këtë hetim.

Dje Gjykata e Tiranës nxori urdhër-­arresti për Francesco Becchettin, pronarin e Agon Channel nën akuzën për pastrim parash. Ndërkohë që u ekzekutuan dy arrestime, ai i Troplinit dhe Drejtoreshës së bankës. Ndërkohë prokuroria ka sekuestruar 60% të tre kompanive të shoqërisë AgonSet.

Ndërkohë prokuroria ka shpallur në kërkim Francesco Becchettin, Liliana Condomittin (nëna e Becchetit) dhe Mauro de Renzi.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-­Force, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve tё kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb