NGA SHABAN MURATI*

Vështirë të gjesh gjatë 25 viteve të fundit një ministër të Jashtëm të një shteti tjetër, që viziton Shqipërinë, që të jetë karakterizuar nga një performancë mungese serioziteti si ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, në Tiranë në 8 korrik.

A vjen kjo se i tillë është profili psikologjik i ministrit të Jashtëm grek, a vjen sepse erdhi si ministër i jashtëm i një qeverie, që po i merren këmbët dhe pas disa javësh apo disa muajsh mund të ikë, apo vjen sepse ministri grek është i ndërgjegjshëm për parimin e vjetër diplomatik se me një shef diplomacie të një shteti të falimentuar financiarisht si Greqia, nuk mund të bësh një “deal” serioz, kjo mbetet për t’u analizuar nga institucionet përkatëse. Por e vetmja çështje, ku ai foli ashtu si mendon realisht qeveria dhe diplomacia greke dhe ku u shfaq në një sarkofag betoni, ishte çështja çame. Betoni diplomatik grek përmblidhet në qëndrimin efemer se shtetasit shqiptarë mund t’u drejtohen gjykatave greke për pronat e tyre dhe se ajo nuk është “çështje çame”, por një çështje juridike, që nivelon njësoj shtetasit e Shqipërisë nga Tropoja në Konispol.

Konfirmimi në Tiranë nga ministri i Jashtëm i qeverisë së re greke i qëndrimit arkaik të ngurosur të diplomacisë dhe të shtetit grek për çështjen çame është me interes për dy arsye. Së pari, sepse tregon publikisht dhe zyrtarisht se shteti grek, pavarësisht qeverive të majta apo të djathta, monarkiste apo republikane, ushtarake apo demokratike, me kollare apo pa kollare, është ngrirë në qëndrimin e gurtë për çështjen çame. Së dyti, ka interes, sepse opiumi diplomatik grek për trajtimin e çështjes çame si çështje juridike apo çështje gjykatash, ka trullosur gjatë njëzet e pesë viteve shumë qeveri të Shqipërisë dhe diplomacitë e tyre. Ndaj përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale, sepse nga ky këndvështrim mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështje ose në varrosjen e saj. Dhe për të dalluar se ku synojnë qëndrimet dhe predispozicioni i njërës apo tjetrës qeveri lidhur me zgjidhjen e çështjes çame, duhet të shtrohet pyetja hamletiane se “çfarë është çështja çame”. Në një analizë dhe këndvështrim profesional, sipas mendimit tim, çështja çame është një çështje politike. Ajo është politike, sepse:
1- Çeshtja çame në gjenezën e saj ka lindur si çështje politike e qëndrimit politik të qeverisë dhe të shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare në Greqi.
2- Çështja çame është politike, sepse u prodhua nga vendimi politik dhe veprimi politik-policor i qeverisë dhe i shtetit grek për të deportuar me dhunë një popullsi të tërë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, drejt një shteti tjetër. Zbrazja nëpërmjet forcës e një territori krejtësisht nga një popullsi e tërë hyn tek përkufizimi i gjenocidit, përveç të vërtetës historike se deportimi u shoqërua me vrasjet masive të shqiptarëve çamë në shifrën prej 5100 vetash, sipas ekspertes shqiptare Vjollca Braho.
3- Çështja çame lindi nga një akuzë politike e qeverisë greke ndaj popullsisë çame në vitin 1940, akuzë e cila ka vazhduar si qëndrim politik gjatë gjithë periudhës së pasluftës së dytë botërore deri në ditët e Kocias në Tiranë, ndonëse Europa, Ballkani dhe bota ka ndryshuar.
4- Çështja çame është politike, sepse qeveritë greke kanë krijuar figurën e armikut mbi një popullsi të tërë, mbi bazën e shenjës së ndryshme nacionale, fetare dhe gjuhësore.
5- Çështja çame është politike, sepse qeveritë dhe diplomacia greke e pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë pranuar kurrë ekzistencën e saj. Janë shtirur sikur nuk e dinë se kryeministri grek Teodoros Pangallos në vitin 1926 e ka pranuar dhe pohuar publikisht ekzistencën e minoritetit çam në Greqi dhe përfaqësuesi diplomatik i qeverisë greke e ka deklaruar në foltoren e Lidhjes se Kombeve në qershor të vitit 1928 ekzistencën e pakicës shqiptare në Greqi.
6- Çështja çame është politike, sepse asnjë qeveri greke e pas luftës, edhe pasi Greqia u bë anëtare e NATO-s dhe e BE, nuk ka tërhequr kurrë akuzat e padrejta absurde, që u janë bërë kolektivisht popullsisë çame, dhe asnjë qeveri greke e pas luftës deri në ditët tona nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e ushtruar në mënyrë masive ndaj një popullsie të tërë.
7- Çështja çame është politike, sepse qeveritë greke u kanë hequr arbitrarisht të drejtën e shtetësisë popullsisë çame të deportuar dhe e kanë privuar nga e drejta e patjetërsueshme për t’u kthyer si popullsi në pronat dhe në shtëpitë e tyre.
8- Çështja çame është politike, sepse qeveritë greke nuk kanë lejuar të ngrihet as edhe një memorial i thjeshtë për mijëra gratë, pleqtë dhe fëmijët, që janë vrarë e masakruar në vatrat dhe në pronat e tyre nga bandat e Zervës, në një kohë që në vitin 1995, kur është biseduar midis dy ministrive të jashtëm për çështjen e varrezave greke në Shqipëri, delegacioni grek ka pranuar kërkesën e drejtë shqiptare të reciprocitetit për ngritjen e një memoriali të tillë në territorin nga u deportua popullsia çame.

Të gjithë këto elemente e formësojnë çështjen çame si një çështje politike, e cila kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pikërisht si e tillë kjo çështje hyn në dosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe bëhet edhe çështje diplomatike, dhe rrjedhimisht detyrë dhe objektiv i diplomacisë së Shqipërisë. Para se të vazhdojmë me zbërthimin e këtij aspekti, do të duhet të evidentojmë rrethanën fatale diplomatike të marrëdhënieve dypalëshe, të karakterizuara nga një disproporcion i pafalshëm. Unë kam shkruar shpesh në librat e mi për sindromën e asimetrisë, që ka karakterizuar gjatë periudhës postkomuniste diplomacinë shqiptare në rajon. Por kulmet e saj, në mënyrën më të habitshme, kjo asimetri i arrin në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë dhe me Greqinë. Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame. Mua më ka rënë rasti të bisedoj me disa drejtues qeverie dhe diplomacie shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe dhe shumëkush prej tyre e vlerësonte si sukses, që kishte guxuar t’i thotë një fjalë apo gjysmë fjale për termin “çështja çame” homologëve greke. Të gjitha qeveritë shqiptare të periudhës postkomuniste kanë lënë mënjanë kryesoren: Se çështja çame është një çështje politike dhe diplomatike dhe duhet të jetë pjesë e pandarë e kërkesave të qeverisë dhe të shtetit shqiptar në marrëdhëniet me Greqinë.

Për hir të vërtetës së historisë diplomatike shqiptare duhet pranuar se i vetmi qëndrim dhe konceptim i drejtë i karakterit të çështjes çame vjen me Edi Ramën, i cili për herë të parë në historinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-greke paraqiti qëndrimin e drejtë parimor që në prill të vitit 2013, si më poshtë: “Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të problemeve në Ballkan, ne e konsiderojmë çështjen çame një çështje politike, e cila duhet adresuar. Ne i kërkojmë qeverisë ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet me Greqinë”. Qeveria e kryeministrit Edi Rama është qeveria e parë shqiptare në gjithë historinë e shtetit shqiptar, e cila e vendosi çështjen çame në programin e saj qeveritar për vitet 2013-2017, të paraqitur dhe të miratuar në Parlament, ku theksohet se, “Ne do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”. Në programin e qeverisë, çështja çame është vendosur së bashku me çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, pra si pjesë përbërëse e çështjes shqiptare.

Është një qëndrim historik, i cili e fiton vlerësimin dhe kërkon mbështetjen konsensuale brenda kuadrit të interesit kombëtar dhe jashtë gjykimeve apo xhelozive individuale e partiake. Është një qëndrim historik, sepse të gjitha qeveritë dhe diplomacitë e mëparshme shqiptare kanë qenë hutuar dhe kanë vrapuar pas tezës greke të “karakterit juridik dhe gjykator” të çështjes çame. I ashtuquajturi karakter juridik dhe gjykator është përpjekja për ta zvarritur në kalendat greke çështjen çame dhe për të mos e zgjidhur kurrë atë. Është tepër naive të besohet se rruga juridike do të jetë zgjidhja e çështjes çame. Sepse, edhe nëse supozojmë teorikisht të pamundurën se e gjithë popullsia çame e deportuar me dhunë nga shtëpitë dhe tokat e veta do të rimarrë pronat, a do të thotë kjo zgjidhje e çështjes çame? A e zgjidh procesi i Penelopës i kërkimit dhe i rimarrjes së pronave të drejtën e tyre të parë themelore për t’u kthyer si popullsi atje ku kanë jetuar, ku kanë vatrat dhe origjinën, si popullsi dhe si shtetas grekë të barabartë me qytetarët e tjerë të atij shteti. Po ta analizosh me gjakftohtësi, kalvari i trokitjes nëpër dyert e gjykatave greke për pronat e çamëve është një mision i pamundur. Për ata naivë apo idiotë të dobishëm të Greqisë në Tiranë, ku për fat të keq hyjnë edhe disa ish-ministra të jashtëm, të cilët vazhdojnë me birën e kavallit grek për trokitjen nëpër gjykata, ministri i Jashtëm grek bëri talljen e radhës. Ai shpalli në 15 korrik në Tiranë se qeveria e tij ka vendosur qëndrimin politik ekstremist për t’i përjashtuar popullsinë çame nga e drejta për të kërkuar pronat në Greqi. Dhe për t’ua ngulitur këtë qëndrim politik idiotëve të dobishëm të Greqisë në Tiranë, Kocias vuri edhe zëdhënësin e MPJ të Greqisë ta përsëriste me komunikatë zyrtare në 16 korrik.

Teza greke e karakterit juridik dhe gjykator të çështjes çame ka qenë një alibi e qeverive dhe e diplomacive të mëparshme shqiptare për ta lënë pas dore çështjen çame. Kjo është kaq e vërtetë, saqë edhe në Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit dhe të Sigurisë midis dy vendeve, të nënshkruar nga presidentët Sali Berisha dhe Stefanopullos në 21 mars 1996, është përfshirë teza greke e çështjes së pronave dhe nuk përmendet fare fjala “çështja çame”. Duhet të klasifikohet si një gabim i rëndë diplomatik, që është pranuar kërkesa greke për Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi si forma më e lartë juridike e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe as nuk zihet më gojë çështja çame dhe as vihet kushti që të abrogohet nga Parlamenti grek i famshmi ligj i luftës. Në vitin 2004 qeveria greke dhe ajo shqiptare ranë dakord të ngrenë një komision të përbashkët për çështjen e pronave të shqiptarëve dhe ai komision nuk u mblodh kurrë dhe as grekët dhe as shqiptarët nuk e zunë më në gojë. Ndodhi tradita fatkeqe e marrëdhënieve dypalëshe, që komisionet e përbashkëta presin 20-30 vjet ose nuk ngrihen kurrë, kur i kërkon Tirana, dhe ngrihen menjëherë, kur i kërkon Athina.

Në librin tim “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” e kam përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”.(Tiranë, 2009, fq.25).
Çështja çame është një çështje politike, e ngjashme me çështjen politike të popullsisë së tatarëve të Krimesë. Popullsia çame u dëbua nga shtëpitë dhe pronat e veta prej qeverisë greke, njësoj siç u dëbuan e gjithë popullsia tatare nga Krimea prej forcave policore dhe ushtarake ruse me vendim politik të Stalinit. Edhe popullsia tatare, ashtu si dhe popullsia çame, u deportuan masivisht nën akuzën absurde kolektive si “bashkëpunëtorë të fashizmit” dhe u degdisën nëpër humbëtirat e Uzbekistanit. Por ka një ndryshim kolosal midis Rusisë dhe Greqisë në qëndrimet e mëvonshme ndaj popullsive të dëbuara. Qeveria ruse e pranoi gabimin tragjik të kohës së Stalinit dhe lejoi kthimin e popullsisë tatare në trojet, ku kishin banuar më parë në Krime. Dhe jo vetëm kaq, por Rusia ndërmori aktin pozitiv, duke kërkuar falje dhe i ka tërhequr zyrtarisht dhe i ka shfuqizuar akuzat politike kolektive ndaj popullsisë tatare për gjoja “bashkëpunim me fashizmin”. Mjafton krahasimi me qëndrimin e Rusisë për të kuptuar se sa larg standardeve të së drejtës dhe të lirive të njeriut është qeveria dhe shteti grek, i cili me gojën e ministrit të saj të jashtëm Kocias përsëriti në Tiranë akuzat e sklerozuara 70- vjeçare politike kundër popullsisë çame.

Çështja çame është një çështje e rëndësishme, e cila duhet të jetë vazhdimisht në rend të ditës në bisedimet dypalëshe, dhe që duhet, jo vetëm të jetë në dosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë, por kryesorja, të shtrohet si kërkesë për zgjidhje nga ana e qeverisë dhe e shtetit shqiptar. Nuk duhet harruar as nga qeveria, as nga shteti dhe as nga populli shqiptar se çështja çame nuk është çështje e një komuniteti alien, por është çështje dhe pjesë e kombit shqiptar, pra është pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Për këtë arsye, rruga e vetme dhe më realiste e zgjidhjes së çështjes çame është trajtimi i saj si çështje politike dhe diplomatike.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb