TIRANË- Drejtori i Informacionit në “News24”, Enton Abilekaj ka komentuar në studion e “Opinion” para gazetarëve Edvin Parruca dhe Nisida Tufa situatën e fundit politike dhe aferën e shumëpërfolur të CEZ-it. Abilekaj tha se çështja e DIA-s nuk duhet të shërbejë si një kuvertë për të mbuluar korrupsionin. Sipas tij, kjo çështje ishte justifikimi për prishjen e koalicionit Rama-Meta. Madje Drejtori i Informacionit në “News24” deklaroi se ky koalicion ka dështuar.

“Është normale që çështja e DIA-s të mos jetë kuverta e një çështje korruptive por hapja e saj. Nëse e shohim si një çështje politike, temperaturat u nxehën që në pranverë, që në mars kur Doshi akuzoi Metën. Pastaj u duk sikur pati një lloj paqeje, ndërkohë që marrëdhëniet Rama-Meta u acaruan aq shumë pavarësisht përgënjeshtrimeve nga të dyja palët. Sot jemi në këtë situatë që tregon se ky koalicion ka dështuar. Nëse është çështja e CEZ-it me DIA-n justifikimi për të prishur këtë koalicion kjo do të shihet më pas, por praktikisht ky koalicion është prishur nuk ka më moral. Meta konfirmoi sot që me Ramën nuk ka më marrëdhëniet që ka pasur dhe po mendon largimin prej tij, ose nëse jo largimin ndërtimin e një raporti që nuk mund të mbajë më koalicion në këmbë”, theksoi Abilekaj.

Sipas drejtorit të Informacionit në “News24” një situatë e tillë mund të çojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj se situata mund të çojë në zgjedhje të reja. Shohim që ka një mirëkuptim mes Ramës dhe Bashës për çështjen DIA. Kjo ka çuar një çarje të rëndë në mazhorancë, që duket se është e parikuperueshme pas deklaratave të fundit, dhe takimeve të fundit të Metës.

Berisha i kërkoi Metës votimin e projektligjit që paraqiti PD në Parlament për hetimin ndërkombëtar për çështjen DIA. Meta u përgjigj së me Berishën është marrë vesh që kur erdhi CEZ-i në Shqipëri, por tha se nuk është marrë vesh me Bashën. Kjo situatë mund të çojë në zgjedhje të reja”, tha Abilekaj.

Duke u ndalur tek takimet që ambasadori Lu ka zhvilluar së fundmi me krerët e politikës shqiptare, Abilekaj tha se “Amerikanët nuk janë të interesuar për një tollovi, por zbardhjen e një çështje korrupsioni. SHBA është kundër korrupsionit, dhe janë të interesuar për integrimin europian të Shqipërinë. Ata janë të angazhuar për një çështje korrupsioni që përfshin zyrtarë të lartë”.
(m.k/el.sp/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: