Nga KLODIANA LALA

TIRANE- Në sekret të plotë mbrëmjen e së mërkurës, ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kapërceu pragun e Prokurorisë së Tiranës, për të dhënë shpjegime për aferën CEZ.

Lajmi konfirmohet për “News 24” nga burime të besuara në organin e akuzës në kryeqytet, të cilat thanë se ish-ministri demokrat mbërriti përpara grupit të hetimit rreth orës 18.30, për t’u larguar afro një orë më vonë.

I kontaktuar nga “News 24”, lidhur me këtë çështje Genci Ruli shpjegoi:

“Ishte një sqarim i bazuar në prova reale e të dokumentuara që unë i dhashë Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton përsëri çështjen CEZ, për çka lidhet me të ashtuquajtura prova të reja, të paraqitura nga Komisioni Hetimor Parlamentar “Balla”. Shpresoj që dëshmia ime ta ketë ndihmuar hetimin e prokurorisë për të dalluar të vërtetën e dokumentuar nga akuzat qesharake që prodhon kuzhina politike shqiptare”.

Pjesëtarët e grupit të hetimit të dosjes voluminoze, refuzuan të japin detaje, madje nuk konfirmuan as marrjen e dëshmisë së Rulit.

Dosja CEZ u mbajt për afro dy vite më duar nga prokuroria e Tiranës dhe në përfundim firmosi për pushimin e çështjes.

Pak javë më parë, gjykata vendosi ta shfuqizojë vendimin e organit të akuzës dhe ta kthejë sërish çështjen për hetim, duke lënë detyra konkrete për grupin hetimor.

Në këtë kuadër, krahas marrjes së dëshmisë së Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Berisha, prokurorët e panë të nevojshme të thërrasin për sqarime edhe ish-ministrin Ruli, emri i të cilit u përmend nga dëshmitari Romeo Kara.

Veprimet hetimore për këtë çështje, po zhvillohen në sekret të plotë dhe larg vëmendjes së medias, e kjo duket nga fakti se prokuroria po shfrytëzon orët e vona të mbrëmjeve, me shpresën për të hedhur dritë mbi aferën korruptive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb