SHKODËR- Autoritetet shqiptare po bëjnë të gjitha përpjekjet për lirimin e Ismail Morinës, personi i cili u bë njohur për ngritjen e banderolës “Autoktonus” me dron në takimin futbollistik Serbi-Shqipëri në tetor të vitit 2014 në Beograd dhe që aktualisht është ndaluar nga autoritetet kroate.

Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati tha të premten nga Shkodra se qeveria shqiptare ka bërë të gjitha përpjekjet për të bërë të mundur lirimin e tij.

“Me lejoni t’u them se shteti shqiptar ka vepruar me të gjitha normat ndërkombëtare duke i dhënë asistencë Ballist Morinës, si dhe duke e vizituar ku mbahet aktualisht. Ka patur edhe një komunikim në Podgoricë mes dy kryeministrave. I njëjti komunikim është edhe mes dy shteteve. Rregullat e ekstradimit janë të qarta. Pavarësisht fjalës së gjyqësorit, i takon qeverisë kroate të vendosë. Jemi besimplotë se çështja do të zgjidhet në mënyre racionale”, tha Bushati.

Ndërsa në lidhje me kërkesën e Morinës për azil politik në Kroaci, zoti Bushati u shpreh se edhe në këtë rast mund të përdoret precedenti i Italisë ku u kërkua ekstradimi i tij nga Serbia, ç’ka u refuzua nga shteti italian. “Kemi precedentin Italian, ku ju refuzua kërkesa Serbisë. Ne besojmë që Kroacia duhet të ndjeke këtë precedent”, tha ministri Bushati.

Lidhur me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku në mes është edhe çështja e Morinës, ministri Bushati i krahason me një tryezë shahu ku secila palë bën lojën e vet. “Jemi në një tryezë shahu, ku secila prej palëve bën lëvizjet që i gjykon me dobiprurëse. Serbia i ka bërë veprimet e saj. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhen kultivuar dhe përmirësuar në funksion të stabilitetit demokratik”, tha Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb