Kryeministri Edi Rama thotë i bindur se nuk ekziston një marrëveshje për detin me Greqinë dhe debatin kombëtar e ka konsideruar të kotë.

Historiani Paskal Milo i ftuar në emisionin “Open” i ka bërë dy sugjerime kryeministrit Rama në lidhje me negociatat që do bëhen në një të ardhme.

Së pari Milo ka sugjeruar që sapo të formohet delegacioni për marrëveshjen të zgjedhë persona profesionistë, pasi do t’i lehtësonte punën edhe në debatet publike.

Ndërsa së dyti ka propozuar që marrëveshja e detit të ndahet nga paketa, që është diskutuar më parë me qeverinë greke, pasi është një çështje më e rëndësishme dhe kërkon vëmendje.

Paskal Milo: Unë sugjeroj që kur të vazhdoni këto diskutime të largoheni disi nga ato dikasteret, të zgjidhni profesionistë në këtë fushë, për t’i bërë pjesë të delegacionit. Është një çështje që edhe juve do jua lehtësonte garën dhe do linte pak hapësira për sulme nga kundërshtarët. Ky është një sugjerim profesional, jo politik.

Edi Rama: E mirëpres këtë gjë. Paskal, ne e dimë mirë, mbase ti mund ta dish edhe më mirë se ke kaluar edhe më shumë kohë në këtë arenë ku kërcet gërneta dhe balta, që çfarëdo që të bësh, ata që e kanë ndarë mendjen do të bëjnë me baltë në këtë vend. Kjo është fatkeqësia.

Të diskutosh dhe të bësh debat kombëtar dhe ta kthesh në një absurd deri në nivelin e presidentit, kjo është një situatë peshkimi që tregon se këta që e bëjnë nuk kanë dalë keq më para. Këta që e marrin popullin shqiptar për budalla kjo nuk ka dyshim.

Ka dy koncepte që nuk përputhen, marrëveshje dhe 12 milje nuk kanë lidhje. Nëse ushtrohet e drejta e 12 miljeve nuk ka nevojë për marrëveshje.

Paskal Milo: Sugjerim tjetër. Ju me qeverinë e mëparshme greke e keni diskutuar këtë projekt marrëveshje në formën ose si pjesë e një pakete me disa çështje. Unë do kisha mendimin që bashkësia e çështjeve kanë kondicionuar njëra tjetër dhe ndofta nuk ju ka dhënë mundësinë të përqendroheni në një marrëveshje për detin.

Mos do jetë më mirë që ti merrni një nga një?

Sepse kjo çështje mua më duket më e rëndësishme se të gjitha çështjet e paketës që ju vijuat të diskutonit atë kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb