Në emisionin “Open” në News24 ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume foli për zgjedhjet e 14 majit, duke u ndalur tek vendosja e emrit të kryetarit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit në kundërshtim me vullnetin e këtyre të fundit.

Kume deklaroi se vendimi ka ardhur si pasojë e mënyrës si është shkruar Kodi Zgjedhor, ndërsa shtoi se këto janë “kinezërirat” e vërteta të Kodit Zgjedhor të cilat sipas tij kanë ardhur pas ndryshimeve kushtetuese të bëra.

Sipas tij ajo që ndodhi me PD-në si subjekt zgjedhor është problem për zgjedhjet, teksa vijoi duke thënë se kur çështja shkoi në duart e KAS dihej rezultati pasi “anëtarët e KAS janë kapur si përfaqësues të partive politike në vend”.

“Vendimi për mua ka ardhur si pasojë e mënyrës si është shkruar Kodi Zgjedhor. Me ndryshimet që u bënë në korrik në Kushtetutë, u hoq koalicioni si subjekt që mund të ketë kandidatë, vetëm partitë mund të kenë dhe subjektet e pavarura. Me marifetet që dinë të bëjnë politikanët e futën koalicionin në Kodin Zgjedhor dhe i dhanë të drejtën që partitë të bëhen bashkë por nuk u treguan të kujdesshëm deri në fund. Aty thotë që në fletën e votimit subjektet zgjedhore rreshtohen sipas shortit që hidhen dhe partia politike shoqërohet me të dhe nuk thuhet koalicion në asnjë vend. Këto janë kinezërirat që kemi, ato janë lënë në Kodin Zgjedhor. U bë pas ndryshimeve kushtetuese. Ajo që u bë me PD-në si subjekt zgjedhor është problem. Ajo kërkesë e Kodit Zgjedhor ku thuhet se deklarata solemne e kryetarit, etj dhe dokumenti i marrë dhe e gjitha kjo bëri që Celibashi të marrë vendimin që nuk do regjistrohet nëse nuk vjen deklarata e firmosur nga Basha. Pastaj shkoi te KAS dhe dihej çfarë do bëhej. Anëtarët e KAS janë kapur si përfaqësues të partive politike”, u shpreh Kume.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb