Konstitucionalisti, Jordan Daci ka komentuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

Sipas Dacit, kërkesa e presidentit për ndërrimin e anëtarëve të gjykatës, me arsyet përkatëse është një praktikë që nuk përbën problem në botë, pasi gjykatësit zëvendësohen menjëherë. Por në rastin e Shqipërisë sipas tij është ndryshe, pasi mungojnë gjyqtarët zëvendësues.

“Mendoj që vendimmarrja për disa anëtarë për përjashtim do të komprometohet. Nuk besoj se ka qenë qëllim zhvillimi, por edhe mund të jetë. Por gjithsesi është një problem që kemi në ligj, që e çon procesin në një kah jo të duhur ligjor. Ligji, neni 37 thotë që kërkesa bëhet në gjykatë dhe për gjyqtaren që është kërkuar përjashtimi atëherë pranohet. Lind pyetja tani kush e gjykon këtë rast? Kjo është situatë jo normale, nuk ka situata të tilla në botë. Gjykata jonë është që rrëzon një kërkesë pa vendim, sepse nuk merr dot vendimin”, tha Daci.

Pyetjes se komprometimi i këtij procesi çon në bllokimin e saj, Daci iu përgjigj:

“Jo. Palët s’kanë ku të reagojnë më. Çështja do të marrë zgjidhje përfundimtare nga Kushtetuesja, ku unë mendoj se shkaqet që kërkohet shkarkimi i Presidentit nuk janë aq sa për të shkelur rëndë kushtetutën”.

Konsulenti ligjor renditi të gjitha hapat që duhet të ndërmerrte Kushtetuesja në këtë proces.

“Gjykata Kushtetuese po ecën në tokë të pa shkelur. Gjykata Kushtetuese përtej ceneve të ngritura sot në kërkesat e Presidentit, përpara se të kalonte shqyrtimin në dhomë nga gjykata, duhej të merrte vendim për rregullat se si Gjykata do të gjykonte këtë kërkesë. A mundet që Gjykata të marrë rolin e ligjvënësit dhe të krijojë norma që krijohen nga mekanizmi kushtetutës? Unë mendoj se jo. Kushtetuesja duhet të interpretojë normat që ka. Kjo sigurisht ngre problem tjetër që ndryshimet e bëra në Kushtetutë nuk janë të mirëstudiuara, por janë bërë nga njerëz pa njohuritë e duhura”, theksoi Daci.

Për Dacin, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda 30 ditësh për këtë çështje, por sipas tij, efikasiteti i vendimit shihet kur të botohet në fletoren zyrtare.

“Jemi në një situatë ku nuk ka parashikime të sakta. Por duhet të japë vendimin brenda 30 ditëve. Ligji në fuqi pasi të zbardhet e arsyetuar do të dërgohet në fletore zyrtare për votim e më pas do të japë efekte të plota. Shkarkimi do të jepte efektet ditën që do të botohej në fletore zyrtare. Mund të kemi dhe një ndarje votash, dhe vendimi quhet i rrëzuar. Ky proces mund të shkojë deri në përfundimin e mandatit”, tha Daci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb