SHKUP– Shtatë biseda të reja telefonike u publikuan sot nga ana e partisë më të madhe opozitare maqedonase, LSDM, në një konferencë shtypi, për të cilat, siç thotë kryetari i kësaj partie, Zoran Zajev, janë përgjuar nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.

LSDM-ja nxorri në dritë bisedat e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski me ministrin e Transportit, Mile Janakieski, të redaktorit të televizionit ”Sitel”, Dragan Pavloviç Llatas me ministren e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska dhe me Sasho Miallkovin si dhe të ministres Jankullovska me ndihmësin e saj, Ivo Koteksi dhe me Miallkovin.

”Incizimet tregojnë ndikimin e pushtetit ndaj medias private dhe ndaj televizionit kombëtar RTM”, theksoi Zajev.

Ai shtoi se janë ndjekur dhe përgjuar mbi 100 gazetarë në Republikën e Maqedonisë si nga media proqeveritare ashtu edhe nga gazetarët profesionalisht kritikë.

Më i përgjuar dhe i ndjekur, sipas Zajevit, nga viti 2011 deri në vitin 2013, ka qenë pronari i javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov.

Por, kryeministri maqedonas, Gruevski, deklaroi se vendi i tij ka qenë shënjestër e incizimeve të bisedimeve telefonike të shërbimeve të huaja sekrete, të ndihmuara nga bashkëpunëtorë të tyre në Republikën e Maqedonisë.

”Materiali i incizuar është përkthyer në gjuhën angleze dhe është dërguar tek porositësi. Diku nga mesi i vitit 2014 për këto materiale është informuar edhe personi Zoran Zajev me qëllim që të publikohen në opinion dhe të plotësohet një qëllim i caktuar i shërbimit të huaj sekret, i cili është porositës dhe financues i këtij operacioni”, deklaroi Gruevski.

”Shërbimet tona e njohin shërbimin e huaj, që ka qenë porositës i këtyre bisedave telefonike”, theksoi Gruevski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Gruevski tha se nuk pranon, siç nuk ka pranuar deri më tani, qeveri teknike, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se dialogu me opozitën është i mundur dhe ai duhet të realizohet në parlament.

Sipas tij, dialogu është mënyrë për dalje nga kriza aktuale politike.

Për numrin e publikuar, nga fillimisht 26 000 dhe pastaj 20 000 biseda telefonike të qytetarëve të përgjuar, Gruevski tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ai nuk kanë informacione të tilla dhe se sipas tyre, janë përgjuar kryesisht politikanë dhe personalitete të tjera publike.

Në konferencën për shtyp, Gruevski tha do të kundërshtojë ashpër të gjitha përpjekjet për destabilizimin e vendit.

(ma.ar/mia/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: