TIRANË

Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka foli sot në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për protestat e opozitës dhe debatet në parlament.

Lidhur me kaosin në seancë dhe qëndrimin e deputetëve të grupit Alibeaj, Paloka deklaroi se ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe kush del jashtë këtij pozicioni thjesht i shërben Ramës.

Ai theksoi se një diktator duhet hequr me çdo mënyrë, edhe më ekstremen. Paloka deklaroi më tej se protestat e opozitës do përshkallëzohen dhe do jenë në forma të ndryshme, ndërsa sa i përket gjyqit të 3 marsit ai tha se është i jashtëligjshëm pasi gjykata është në dorën e kryeministrit.

“Derisa të jetë çështja McGonigal e pasqaruar në parlament nga ai që është i akuzuar Edi Rama, pa u dhënë përgjigje për këtë çështje ne nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë dhe të vazhdojmë të miratojmë ligje për breshkat e ujit në parlament.
Kush mendon që duhet të diskutojmë çështjes të tjera përballë një skandali të tillë thjesht i shërben Edi Ramës. Atë do dhe Edi Rama.
Opozita ka një detyrë.

Unë thashë sot në protestë, pozicioni im mund të jetë pak më ekstrem. Për pjesën më të madhe të PD-së që ka marrë vendimin për të pasur një qëndresë, një rezistencë konsistente dhe kjo të jetë duke eskaluar nga akte të mosbindjes civile kjo duket rruga. Dhe Berisha është i bindur për revolucion paqësor. Unë mendoj që një diktator duhet hequr me çdo mënyrë, edhe më ekstremen. Absolutisht dhe me dhunë.
Një diktator ikën dhe me dhunë sepse është diktator. Një njeri që nuk lejon të votohet, atëherë çfarë zgjidhje ke me të.
Ai duhet marrë zvarrë. Nuk është kryeministër, është diktator. Është uzurpator i atij posti, nuk është kryeministër i zgjedhur. Nuk i ka votat sepse i ka blerë, i ka vjedhur, i ka manipuluar, nuk janë votat e tij. Me gjithë këto skandale që kanë dalë dhe ky i fundit që është skandali i skandaleve…Se si realizohet…ky është mendimi im personal, po përderisa PD ka zgjedhur atë rrugë. më takon ta respektoj.
Kemi zgjedhur rezistencën dhe kjo vërtetë mund të jetë ca ditë më e gjatë, por është në të mirë të shqiptarëve. Demokratët i kemi në krahë.
Këtë herë nuk ka ku të shkojë më. Jo aq për meritën tonë, por edhe për shkak të skandalit. Ne na takon vetëm t’i japim një dorë.

Gjyqi i 3 marsit nuk ka të bëjë vetëm me vulën e PD-së. Kjo betejë është për pluralizmin në vend. Ai gjyq që është caktuar në datën 3 është i jashtëligjshëm. Vendimi i vetëm për kuvendin e 11 dhjetorit është vendimi gjykatës së Tiranës. Nuk kishte palë. Pala është 1, Partia Demokratike. Kjo nuk duhet të shkonte fare në gjykatë. Që kur u mor ajo iniciativë nga Alibeaj, ai e dinte që gjykata kontrollohej nga Rama. Pra Rama do i japë atë që nuk i takon. Të njëjtën gjë le ta bëjë Spiropali apo Balla dhe të kërkojnë që janë kryetarë të PD-së dhe Rama vendos që Balla do jetë kryetar i PD-së. Nuk ka asnjë ndryshim. Ky është fundi i pluralizmit në Shqipëri, do vendoset diktatura. McGonigal vërtetoi se Rama investon për largimin e opozitës. Do ketë dhe data të tjera protestash. Ajo do përshkallëzohet, nuk do rrijë në këtë formë, do ketë forma të ndryshme. Edhe në ritëm edhe në forma”, deklaroi Paloka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: