TIRANË- Kreu i Komisionit hetimor për CEZ, Taulant Balla ka kërkuar sërish që dëshmitari i çështjes Nuel Kalaj të sillet me forcë në komision. Ai ishte thirrur për t’u marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në mbledhjen e sotme por nuk ka ardhur, ashtu si mbledhjen e kaluar e për këtë arsye Balla i ka kërkuar Policisë të përdorë forcën për ta çuar në komision.

“Sot kishim seancë dëgjimore me Nuel Kalajn. Garda na njofton se nuk është paraqitur.
Insistojmë që Drejtoria e Policisë të përdorë forcën për ta sjelle në komision. Të njoftohemi pse është paguar me një shumë kaq të madhe”, tha Balla.

Nuel (Nue) Kalaj është personi i akuzuar nga kryetari i Komisionit, Taulant Balla, si sekser i Shkëlzen Berishës për ardhjen e kompanisë CEZ në Shqipëri.
Ndonëse Kalaj ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura rreth përfshirjes së tij në çështjen CEZ, ai nuk është paraqitur në mbledhjen e sotme të Komisionit.

Po kështu i është dërguar një shkresë drejtorit të CEZ në Çeki, Hejsek për t’u paraqitur në komision.
Ndërsa përsa i përket dëshmitarit tjetër, Hamza Mergjani, ai ka kërkuar që dëshmia e tij të merret me videokonferencë.

Në komisionin e CEZ ka ardhur edhe dokumenti nga sistemi Tims për hyrje-daljet e dëshmitarit Kalaj, Kastriot Ismailajt dhe Shkëlzen Berishës.

Balla mbledhjen e kaluar depozitoi disa prova shkresore, e-maile që mbajnë data të ndryshme, 2008, 2009, 2010 që sipas tij tregojnë se Kalaj ka patur komunikim me drejtues të CEZ, aty përmend edhe drejtues të lartë, siç janë ish- kryeministri në atë kohë, Sali Berisha, ish-ministrisë i Ekonomisë dhe Energjisë.

Sipas Ballës, ky person ka marrë nga CEZ transferta bankare disa milionë euro.
Po sipas një letre të bërë publike nga Balla, Nuel (Nue) Kalaj ka ndërmjetësuar një takim të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishës me drejtorin çek në Shqipëri, Josef Hejsek, gjë e cila dëshmohet në një letër që vetë Hejsek i dërgon n/drejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, edhe ky pjesë e takimit.

Vetë Nuel kalaj ka reaguar për këto akuza, duke u shprehu se ai se është kontraktuar nga kompania CEZ për të mbledhur informacione lidhur me fizibilitetin e tregut energjetik shqiptar për investime. Kalaj shprehet se nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, ndërsa me ish-kryeministrin Berisha është takuar si pjesë e delegacionit të kompanisë çeke, kur ata kanë ardhur në Tiranë. Në lidhje me kompaninë CEZ, Kalaj shprehet se ka bashkëpunuar në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe Çekisë ku kjo kompani ushtron aktivitetin e saj.

Nga ky bashkëpunim me kompaninë çeke, Kalaj nuk mohon se ka nxjerrë fitime të ligjshme, duke paguar dhe taksa për to. Ai u përgjigjet dhe akuzave për tërheqje të parave cash nga bankat. “Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera”, ka thënë Kalaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb