Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres u takua të enjten (27 shtator) në Nju Jork, me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila mori pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme. Mediat serbe shkruajtën një ditë më pas se Guterres ka thënë në takim se “Kosova kuk është shtet. Kosova nuk është vend”.

I pyetur nga Deutsche Welle, Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Stephane Dujarric, tha se zyra e tij ka nxjerrë një deklaratë për takimin dhe nuk ka më për të shtuar: “Statusi i Kosovës është i përcaktuar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, të cilat janë udhërrëfyese për ne”, tha ai.

Sipas rezolutës 1244, të 10 qershorit 1999, statusi i Kosovës është “autonomi dhe vetëadministrim”. Dujarric shtoi se: “Ne kemi nxjerrë një deklaratë për takimin dhe i përmbahemi kësaj deklarate”.

Në deklaratën për takimin thuhet se Sekretari i Përgjithshëm Gueterres, vlerësoi angazhimin serb për multilaterizëm dhe parimet e vlerat e Kombeve të Bashkuara. Ai tha, se KB vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE.

Në krahasim me vitin e kaluar shihet një kthim mbrapa në marrëdhëniet e OKB me Serbinë dhe Kosovën. Vitin e kaluar në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme u zhvilluan bisedime jopublike midis presidentit serb, Vuҁiç dhe atij të Kosovës, Thaçi. Këtë vit, Vuҁiq nuk mori pjesë në Nju Jork. Më parë ai pati bërë disa deklarata nacionaliste në vizitën e tij në Kosovë. Kurse Thaçi ndodhej në Nju Jork “jozyrtarisht” dhe zhvilloi programin e vet, mes të cilave edhe fotografi të ndryshme.

Të dyja palët, si ajo serbe edhe ajo shqiptare kërkojnë të rrisin numrin e tifozëve duke bërë deklarata, ose duke postuar në mediat sociale fotografi “për takimet e niveleve të larta”, me njerëz të rëndësishëm në SHBA ose OKB. Asgjë nga këto nuk i shërben dialogut. Statusi i Kosovës nuk vendoset në takimet midis Gueterres dhe Brnabiq-it. As duke pozuar para fotografive./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb