Shumë nga njerëzit e infektuar me Sars-Cov-2, qofshin të shtruar në spital apo jo, vazhdojnë të përjetojnë simptoma të ndryshme për shumë javë, në mos për muaj me radhë. Një studim i botuar më 9 janar në revistën “The Lancet”, ilustron përmasat e këtij fenomeni shqetësues, i quajtur shpesh “Covidi i Gjatë”.

Studiuesit kinezë që kryen studimin u përqendruan në ecurinë e shëndetit të 1.733 pacientëve (52 për qind burra, me një moshë mesatare 57-vjeç) të prekur nga Covid-19 dhe të shtruar në spitalin Jinjintan të Vuhan midis 7 janarit dhe 29 majit 2020.

Gjashtë muaj pasi iu shfaqën simptomat e para, 76 për qind e pacientëve që kishin dalë nga spitali, raportuan se kishin ende të paktën një simptomë. Më të goditura nga efektet anësore afatgjatë ishin gratë. Simptomat që raportoheshin më shpesh ishin lodhja fizike ose dhimbjet e muskujve (63 përqind) dhe shqetësimet e gjumit (26 për qind).

Ndërkohë, gati një e katërta e pacientëve (23 për qind) thanë se përjetuan ankth ose depresion. Për më tepër, pacientët me forma më të rënda të sëmundjes, shfaqen më shpesh dëmtime të mushkërive edhe 6 muaj pas shfaqjes së simptomave.

Ndërkohë, janë vërejtur edhe raste të çrregullimeve të vazhdueshme të veshkave, të cilat nuk ishin zbuluar gjatë shtrimit në spital. Gjithashtu, pacientët e sëmurë më rëndë me Covid-19, performuan më keq në një test 6 minutësh të ecjes më këmbë. Gati çereku nuk arriti të përshkruante dot distancën minimale.

Studimi u bazua gjithashtu tek 94 pacientë, shkalla e antitrupave të të cilëve është regjistruar në kohën e infeksionit maksimal. Gjashtë muaj më vonë, niveli i antitrupave ndaj virusit ishte përgjysmuar. Autorët e studimit, nënvizojnë se ky është studimi me grupin më të madh të pacientëve të shtruar në spital.

Por ata bëjnë disa sqarime për shifrat:“Duhet një studim me një mostër më të madhe, për të studiuar më mirë këto pasoja, dhe për të matur shkallën e antitrupave kundër Sars-Cov-2”. Mbi të gjitha, duhet të kihet parasysh se në disa raste, nuk ishte e mundur të rindërtohej me saktësi gjendja shëndetësore e pacientëve para infektimit, dhe kjo gjë e vështirëson interpretimin e disa testeve fiziologjike ose klinike të kryera pas pranimit.

“Studimi është interesant”-thotë profesor Dominik Salmon, specialist i sëmundjeve infektive në Hôtel-Dieu në Paris. Por ai shton se nuk është aq e lehtë të përcaktohet nëse këto janë simptoma që lidhen me Covid-in, shtrimin e zgjatur në spital apo faktorë të tjerë.

“Pjesa prej 76 për qind e grupit, që vazhdoi të përjetonte simptoma, është një përqindje shumë e lartë. Por ajo përputhet me atë që shohim në praktikë tek pacientët e shtruar në spital të cilët ende kanë pasoja. Kjo tregon se Covid-i nuk është një sëmundje që shërohet lehtë ose shpejt”-shton Salmon.

Eksperti tregon gjithashtu se vetëm një pjesë e vogël e kinezëve (4 për qind), u trajtua në një njësi të kujdesit intensiv. Kjo nënkupton se përqindja e rasteve në të cilat ndodhin simptomat e zgjatura është e lartë edhe jashtë formave më të rënda të sëmundjes.

Në fakt, disa simptoma vazhdojnë edhe tek njerëzit që në fillim u prekën nga një formë e lehtë e sëmundjes, dhe për të cilët nuk ishte i nevojshëm shtrimi në spital. Sipas Salmon, 30-40 për qind e pacientëve të infektuar që nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor kanë simptoma të vazhdueshme, të cilat nganjëherë shfaqen sërish pas një intervali të caktuar kohor. Salmon koordinoi personalisht një studim të botuar në “Journal of Infection” në fillim të dhjetorit 2020, i kryer mbi 70 pacientë:78 për qind gra, mosha mesatare 45 vjeç, dhe ku gjysma e tyre ishin marrë rregullisht me sport.

Simptomat më të shpeshta të zbuluara nga studimi, kufiri i të cilave lidhet dukshëm me madhësinë e vogël të mostrës, janë lodhja e zgjatur, çrregullimet njohëse, dhimbje kardio-torakale, dhe në një masë më të vogël humbja e nuhatjes dhe dhimbje në sistemin e tretës. Ndjekin simptoma të tjera më të rralla: ndryshimi i shijes, skuqja e lëkurë dhe rënia e flokëve. Një studim i kryer nga një ekip nga Universiteti i Gjenevës, dhe i botuar në fillim të dhjetorit në Analet e Mjekësisë së Brendshme, mbi 669 njerëz, tregon se 6 javë pas diagnozës, 33 për qind e pacientëve kishin ende një ose shumë simptoma të Covid-19.

Disa pyetje mbeten ende pa përgjigje: a vazhdon të ekzistojë virusi në trup në zonat e zakonshme (sistemin rinofaringeal, atë të tretjes) apo në pjesë të tjera të trupit? Salmon pyet veten nëse simptomat e vazhdueshme, janë rezultat i një përgjigje të tepruar imune (mundësisht i lidhur me një gjendje të veçantë gjenetike), të vërejtura tashmë në sindroma të tjera post-infektive, apo nëse ato janë të lidhura me një sindromë lodhje kronike. / Internazionale – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb