Nga: MENTOR KIKIA*
PS dhe LSI e mbyllën “pazarin” e ndarjes së njësive vendore. Partia e Metës do të kandidojë në 15 bashki dhe PS do të vazhdojë të negociojë me disa aleatë të tjerë, të vegjël, për 46 njësitë e tjera, pasi ka hipotekuar disa bashki të mëdha, të cilat nuk janë në “shitje”. Pas kësaj do të zyrtarizohen edhe emrat e kandidatëve. Në fakt, emrat e tyre janë konturuar tashmë në mendjen e kryetarëve, por ndërsa ata nuk i bëjnë publike, media është e lirë të fantazojë duke bërë listat e veta, si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën.
Ajo që Rama tha pas takimit me Metën mesditën e të dielës ishte se kandidaturat do të negociohen, që do të thotë se partitë, PS dhe LSI, nuk mund të caktojnë aforfe kandidatët e tyre pa marrë pëlqimin apo konsensusin e njëra-tjetrës, edhe në zonat që kanë marrë sipas marrëveshjes. Ndërsa PD është më e lirë të caktojë kandidatin, pa pasur nevojë për konsensusin e ndonjë partie tjetër.
Formula e mazhorancës duket më interesante për të përzgjedhur ca njerëz më të gjithëpranueshëm politikisht. Por ata që do të vendosin në fund të fundit se cilët do të jenë kandidatët, janë kryetarët e partive. Deri tani, në të dyja kampet, pavarësisht listave të publikuara nga mediat, strukturat lokale të partive dhe grupet përkatëse të deputetëve, sipas qarqeve, nuk janë pyetur dhe nuk kanë pasur mundësi të sugjerojnë ndonjë emër. Mund të ketë entuziastë në këtë pikë, pasi në kushtet kur ne kemi sharë e akuzuar mbarë e prapë shumicën e deputetëve, mund të themi se ata s’do të propozonin veçse sojin e tyre për të pasur më shumë akses në pushtetin vendor, i cili me ndarjen e re është tashmë një pushtet shumë më i fortë. Por mund të ketë të tjerë që mendojnë se pushteti vendor do të jetë në këtë mënyrë, nën kontrollin absolut të kryetarëve të partive.
Duke mos marrë përsipër të themi se cila është e keqja më e vogël, mund të themi me siguri se cila do të ishte mënyra më e mirë dhe që mund të mos jetë asnjëra prej atyre që janë duke u aplikuar. Kjo për faktin se ne si votues nuk dimë se mbi ç’kritere po përzgjidhen këta kandidatë, përveçse të jenë të preferuarit e kryetarëve të partive dhe të kenë para. A nuk do të ishte më mirë që kandidatët t’i nënshtroheshin një lloj gare të brendshme ku të mos garohej me llogari bankare, por me projekte dhe ide.
Unë si votues dua të di se çfarë ideje kanë kandidatët për zhvillimin e qytetit ku unë jetoj, para se të hedh votën. Çfarë prioritetesh kanë ata dhe a janë ato prioritete realisht, problemet dhe nevojat tona si komunitet, më emergjente? A kanë kandidatët një program paraprak qeverisës, apo do të na vijnë nëpër takime në kafenetë e lagjeve duke na folur me gjuhën e kryetarëve tyre? A do të ketë një frymë të re qeverisëse, apo sërish kandidatët do të vijnë të bëjnë premtime për ulje taksash që pastaj i ngrenë, për mbushjen e gropave të rrugëve, vendosjen e xhamave në shkolla dhe blerjen e furnelave për të ngrohur kopshtet?
Nga përvoja e deritanishme, rezulton se fokusi i kandidatëve vihet tek infrastruktura dhe shërbimet në qytet, si ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve apo hapësirave publike, pasi këto janë edhe më të dukshme dhe i shërbejnë populizmit të politikës. Por shoqëria nuk përballet vetëm me këto probleme. Ajo nuk vuan sot vetëm nga nevojat ekonomike, por madje më së shumti, nga probleme të mëdha të mjedisit, ndotjes nga mbetjet urbane dhe industriale. Shoqëria është në krizë të thellë sociale. Mungesa e bashkëpunimit të pushtetit vendor me institucionet ligjzbatuese, mungesa e strukturave sociale, moszbatimi apo mungesa e rregullave që janë në kompetencë të pushtetit vendor, kanë bërë që fenomene të tilla si droga, alkooli, bixhozi, bastet sportive, apo plagë të tjera, të prekin deri adoleshentët e të miturit, duke u shndërruar në gangrenë e shoqërinë. Mungojnë institucionet apo aktivitetet kulturore. Janë shkatërruar kinema dhe teatro, apo edhe aty ku janë, sallat e tyre hapen vetëm për aktivitete politike.
Ngushtimi i hapësirave publike si pasojë e ndërtimeve pa fund dhe pa kriter dhe mungesa e mjediseve argëtuese i ka bërë shumë stresues qytetet shqiptare. Shumëkush mund të mos e dijë se pas ilaçeve të zemrës, më të shiturit nëpër farmaci janë qetësuesit nervorë, pasi shoqëria po bëhet gjithnjë e më depresive. Por këto çështje nuk kanë qenë asnjëherë në fokusin e pushtetit vendor, i cili duket se është përqendruar në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe ndarjen e ndihmës ekonomike që akordon qeveria për të varfërit. Dhe këtu s’ka askush faj, pasi nuk ka ende një “udhëzues” se si duhet të qeveriset dhe këto varen nga kapaciteti, idetë dhe aftësitë e drejtuesit.
Pra, unë kam nevojë të di se çdo të bëjë kandidati për këto shqetësime të shoqërisë. Por të jemi të sigurtë se pronarët e firmave të ndërtimit dhe tregtarët e mallrave më shumicë, që mund të jenë në listën e kandidatëve, as i mendojnë këto çështje si fushë veprimi e pushtetit vendor. Pikërisht për këtë arsye, përpara se t’i hidhnin në ringun e fushatës, partitë duhej të kishin hapur një garë brenda tyre për kandidatët, duke qenë së tashmë nuk flitet për 370 kandidatë, por vetëm për 61. Të jemi të sigurtë se përmes kësaj mënyre do të përzgjidheshin njerëzit më të mirë. Do të futeshin në garë jo thjeshtë ata që, sipas këndvështrimit partiak, “sigurojnë vota”, pavarësisht mënyrës se si, por ata që sigurojnë ndryshimin e formës së qeverisjes, ata që mund të revolucionarizojnë pushtetin vendor. Për këtë arsye ne duhet të kemi më shumë alternativa për të zgjedhur, sesa mes “atij” të PD-së dhe “atij” të PS-LSI-së.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: