Në një lëvizje të dënuar prej pjesës më të madhe të botës, Donald Trump ka shpallur se SHBA do të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Çfarë do të thotë kjo lëvizje kontradiktore e presidentit amerikan, për aktorët kryesorë?

Procesi i paqes
Ai ka qenë “në buzë të varrit”, që kur misioni për paqen i ish Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dështoi në vitin 2014. Por komuniteti ndërkombëtar – përveç SHBA – është i bashkuar, kur thotë se pranimi i Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, i jep një goditje fatale çdo shprese për të ringjallur bisedimet e paqes. Statusi i Jeruzalemit është një prej çështjeve themelore, që diplomatë dhe paqebërës kanë thënë se duhet të dakordësohet mes dy palëve në negociata.

Palestinezët
Ata do ta shohin deklaratën e Trumpit, si fundin e shpresave të tyre dhe kërkesave për Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të një shtet të ardhshëm palestinez. Ndonëse pak palestinezë duan një rikthim tek dhuna, shumë prej tyre do të ndjejnë se përpjekjet diplomatike nuk i kanë afruar drejt një shteti të vetin, dhe do të shohin pak alternativa, përveç veprimit të drejtpërdrejtë.

Shteti i Izraelit
Qeveria izraelite padyshim që do të ngazëllehet. Që kur e pushtoi Jeruzalemin Lindor në luftën 6-ditore në vitin 1967, Izraeli e ka shpallur qytetin si kryeqytetin “e përjetshëm dhe të pandashëm” dhe ka kërkuar njohje ndërkombëtare. Kjo do të përforcojë pikëpamjen e shumë politikanëve izraelitë, që thonë se nuk fitohet gjë nga negociatat me palestinezët. Afro 200 mijë izraelitë që jetojnë në vendbanimet në Jeruzalemin Lindor të pushtuar, në mënyrë të paligjshme sipas ligjeve ndërkombëtare, gjithashtu do të festojnë.

Rajoni
Lëvizja e Trumpit do të destabilizojë më tej një rajon edhe kështu shpërthyes. Presidenti i fuqishëm turk, Rexhep Taip Erdogan tha se SHBA “po e zhyt rajonin dhe gjithë bojën në një flakë, fundi i të cilës nuk duket”. Turqia la të kuptohet se mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, nëse plani ecën përpara. Sauditët – aleatë të rëndësishëm të SHBA në rajon – besojnë se kjo lëvizje dëmton përpjekjet e vazhdueshme të RIadit, për të rigjallëruar planin e paqes. Vendet arabe kufitare me Izraelin – Egjipti, Jordania, Libani dhe Siria – me siguri që do e dënojnë lëvizjen.

Evropa
Shumica e vendeve evropiano-perëndimore do të jenë thellësisht të alarmuar nga njohja prej SHBA, e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Por një pikëpyetje e rëndësishme është nëse BE do të veprojë, si për shembull vendosjen e ndalimit të importeve nga vendbanimet në Bregun Perëndimor, apo refuzimin për të bërë biznes me kompani izraelite që veprojnë në territoret e pushtuara, duke u vendosur kështu në një rrugë qartësisht të ndryshme nga SHBA.

Të krishterët në Tokën e Shenjtë
Patriarku Theofilos III, që shihet gjerësisht si figura më e lartë e krishterë në Jeruzalem, si dhe shumë udhëheqës të tjerë të kishës në Tokën e Shenjtë, i dërguan një letër Trumpit sot ku e paralajmëronin për një “dëm të pariparueshëm”. Lëvizja e tij “do të nxisë urrejtje, konflikte, dhunë dhe vuajtje në Jeruzalem dhe Tokën e Shenjtë, duke na larguar edhe më shumë nga objektivi i unitetit, dhe më thellë drejt një ndarje shkatërrimtare”, shkruanin ata. Udhëheqësit e kishës do të jenë në ankth për të mbrojtur vendet e krishtera.

Vetë qyteti
Në vitin 2015, palestinezët përbënin 37% të popullsisë së qytetit prej 850 mijë banorësh. Shumë prej tyre jetojnë në shtëpi dhe lagje të mbipopulluara, pa qenë në gjendje të sigurojnë leje për zgjerim apo ndërtim. Tre të katërtat jetojnë nën nivelin e varfërisë dhe 25% jetojnë në lagje të shkëputura nga pjesa tjetër e qytetit, prej murit ndarës. E vështirë të kuptosh se si lëvizja e Trumpit do të përmirësojë kushtet për ta. Nir Barkat, kryebashkiaku i qytetit, tha dje se “këtu në Jeruzalem dhe Izrael ne e duartrokasim presidentin”, dhe nëse njerëzit bëhen të dhunshëm, “ata do e paguajnë shtrenjtë”. /Burimi: The Guardian – Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: