NGA MENTOR KIKIA*

“Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj, për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojnë thirrjen time dhe t’i bashkohen përpjekjeve tona për të nisur modelin post-politik të qeverisjes, si një alternativë e re. Të korruptuarit dhe mediokrit, ose të largohen ose të përqafojnë ndryshimet radikale…Po ju flas ju shqiptarëve, ka ende kohë për të ridrejtuar rrugëtimin tonë drejt të ardhmes më të mirë të mundëshme. Së bashku mund ta arrijmë këtë me ndihmën e Endërrimtarëve Ekspertë”.

Me këto apele e sygjerime e mbyll komentin e tij të gjatë Jaime Pozuelo Monfort i “Huffington Post”, të titulluar “Drama e Shqipërisë”. Që në krye, autori, i cili thotë se ka takuar mbi 100 politikanë, intelektualë, profesorë, gazetarë, pra ajkën e shoqërisë, ka biseduar e marrë prej tyre mendimet, para se të arrijë në konkluzionin se në Shqipëri sistemi ka dështuar, e më pas ka prodhuar edhe “paketën e sugjerimeve”, të cituar në hyrje të këtij shkrimi. Nuk ka asgjë të pavërtetë në atë që shkruan analisti i “Huffington Post”. Atij i është dashur të takojë shumë njerëz për ta mësuar, ndërsa ne i kemi mësuar duke i hequr në kurriz. Jo thjesht varfërinë, por zhgënjimin, muaj pas muaji, vit pas viti, qeveri pas qeverie. Ne, gjenerata që ndërrimi i sistemit na gjeti në rini, po plakemi duke numëruar qeveritë e tranzicionit, duke shpresuar që njëra do të jetë me mirë se tjera. Po plakemi duke shpresuar. Por në fund shumë prej nesh kanë kuptuar se më i rëndë sesa gënjimi, qenka zhgënjimi. Pra, kur ti beson se më në fund pe dritë dhe befas del se ajo që vezullonte larg, në terrin e tunelit, paska qenë një shkëmb fosforeshent që ndriçonte dhe nuk ishte dalja që ti ke pritur, e për të cilën edhe je lodhur duke ecur.
Por çfarë ka ndodhur dhe përse Shqipëria është sot një “Dramë”? Padyshim që duhet të shkruhen libra për të shpjeguar një çerekshekulli tranzicion të lodhshëm për këtë popull. Por nëse do të mundoheshim të rendisim disa arsye, mund ta bënim:

Korrupsioni: Ky ka qenë dhe është armiku më i madh i shqiptarëve. Jo thjeshtë si fenomen, por më shumë nga njerëzit e korruptuar që kanë drejtuar e vazhdojnë të drejtojnë, në të gjitha fushat e nivelet. Vendi më i varfër i Evropës ka prodhuar një klasë politike shumë të pasur dhe një oligarki sipërmarrësish të lidhur me politikën, të cilët në 10 vjet aktivitet, mund të krahasohen me kapitalistë që kanë trashëguar bisnezet nga të paktën 3 breza.

Mungesa e qëndrushmërisë së institucioneve dhe praktikave të drejtimit: Nuk besoj të ketë vend tjetër ku fjala reformë të jetë përdorur më shumë se këtu. Çdo qeveri që vjen trumpeton më forcë “reformimin” e gjithëçkaje. Dhe reformimi në fund rezulton thjesht një përmbysje jo vetëm e administratës publike, por edhe e formave dhe praktikave të drejtimit dhe veprimit. Psh: Çdo qeveri bën “reformë” në arsim, duke ndryshuar mënyrën e pranimit të studentëve, duke krijuar një kaos të tmerrshëm në orientimin e maturantëve. Çdo qeveri, ndryshon thellësisht sistemin e taksave, madje edhe disa herë brenda një mandati. Nuk shohin rezultat, për shkak të paftësisë dhe korrupsionit, dhe mendojnë se fajin e ka sistemi. Edhe në shumë drejtime të tjera nuk ka qëndrueshmëri, nuk ka vazhdimësi. Vetëm marrëveshjet korruptive qeveri-biznes janë afatgjata dhe u mbijetojnë ndërrimit të qeverive.

Mungesa e drejtësië: Ska nevojë të flasim për situatën, por për arsyet. Drejtësinë e ka shkatërruar vetë politika, me qëllimin e pastër për të mos lënë të krijohet shteti i së drejtës. Në mënyrë sistematike politika ka kontrolluar emërimet, e përmes tyre vendimmarrjen. Sot sistemi është i kalbur tërësisht nga korrupsioni. Këtë gjende e prodhoi pikërisht politika, duke krijuar se pari korruptimin politik e më pas atë financiar, i cili nuk mund të luftohet nga një sistem që filloi të funksionojë si një gropë thithëse, në të cilën as më shumë përpiqesh për të dalë, aq më shumë zhytesh.
Shkatërrimi i shoqërisë: Sot shoqëria nuk vuan vetëm plagën sociale dhe dramën ekonomike. Ajo nuk është thjesht e shkatërruar nga depresioni dhe mungesa e shpresës. Po flas për tjetër shkatërrim. Politika, përmes një strategjie të qartë shkatërroi, ose nuk la të krijohen, mekanizmat e një shoqërie të organizuar dhe aktive. Lëvizjet sindikale që ishin më të forta në vitet 1992-1997, u shkatërruan, ose u blenë nga paratë e pista të politikës dhe sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa sindikata. Nëse dikush meriton një lapidar për këtë, ngrijani atë Sali Berishës. U shkatërrua shoqëria civile. Ishte shumë më aktore, më e fortë kur ishte më e varfër, tashmë falë parasë shoqëria civile më shumë është një “dhomë tregtie”. Praktikisht ne jemi një shoqëri pa nerv, pa nisiativë, pa mundësi veprimi dhe reagimi, jemi shndërruar në një kope delesh që na vënë përpara e na çojnë nga të duan “barinjtë” e politikës.

Ndikimi ndërkombëtarëve: Shqipëria është gjysmëqeverisur nga ambasadorët, të cilët kanë “qeverisur” sipas interesave të tyre dhe interesave të momentit të Shqipërisë. I kanë thënë “derrit” “dajë” për të qetësuar momentin dhe kanë lënë pasoja nga pas. I kanë vënë kapakun një pusete pa e pastruar atë dhe moçali është përhapur më keq. Sot ata janë bërë pika e referimit, ‘vendi i shenjtë’ ku ne shkojmë të gjejmë “derman”. Por harrojmë që ata janë vetëm ca nëpunës të qeverive të tyre.
Korruptimi dhe inkriminimi i vetë politikës: Ky nuk është i fundit për nga shkaqet që unë rendis, por ky është fundi vetë. Eshtë ndryshe një shtet i paaftë ta luftojë korrupsionin dhe krimin, ndryshe një shtet i korruptuar dhe inkriminuar vetë. Ndryshe një qeveri e pafatë të luftojë korrupsionin e krimin, dhe ndryshe një qeveri e inkriminuar dhe e korruptuar vetë. Ndryshe një politikë e paaftë për të prodhuar mekanizma që luftojnë krimin e korrupsionin, e ndryshe një politikë e inkriminuar dhe e korruptuar. Në këtë drejtim kemi prekur fundin. Politika merr para nga bizneset në mënyrë informale, për të bërë fushatën elektorale dhe ia kthen atyre borxhin nga paratë publike. Prej 4 vjetësh ka shpërthyer fenomeni koncension. Me kontrata mbi 100 milion Euro, mbi 10 vjet, për punë që nuk bëhen kurrë. Këto kontrata prishen vetëm në Starsburg, ku nuk prishen kurrë. Politika korruptoi tërë shoqërinë, duke bërë mall edhe votën. Këtu nuk ka më demokraci. Për këtë kanë kontribuar të gjithë politikanët e të gjitha partitë. Kush me më pak e kush më shumë merita, duhet ta shkruajë emrin në librin e zi të historisë sonë.

A ka shpresë përballë këtij realiteti? Padyshim që po. Duhet një kastë njerëzish që ta duan këtë vend. Ky është kushti i parë. Të kenë ideale për të punuar në shërbim të tij. “Investimi” i parë i madh që duhet të bëhet është të mos vjedhesh. Nuk kërkon kosto, as kredi, as borxhe. Unë mendoj se të tillë ka, por kanë frikë të ngrenë kokë, pasi nuk kanë në dorë mjete financiare dhe kërcënohen nga tirania e politikës së kamur dhe të korruptuar. Mendojnë se duhet të kesh thasët me para, për skena gjigande, postera, këngëtarë, spote televizive, paraushtarakë elektoralë… Deri diku kanë të drejtë. Por jo plotësisht. Kjo është fryma përmes të cilës politika e korruptuar sundon. Megjithatë ata që mendojnë se e duan këtë vend, duhet ta ngrejnë kokën.

Po, duhet bërë! Duhet ta bëjnë! Duhet ta bëjmë!
Kjo situatë nuk është më çështje individësh. Eshtë çështje sistemi tashmë, që nuk zgjidhet me largimin e një personi apo stafi drejtuesish.
Monfort, në komentin e tij, që u mor nga të gjitha gazetat shqiptare, flet me “ne”. Bën thirrje që shqiptarët “t’i bashkohen përpjekjeve tona” … “ka ende kohë për të ridrejtuar rrugëtimin tonë”… “sëbashku mund ta arrijmë këtë me ndihmën e Endërrimtarëve Ekspertë”. Kush janë këta “ne”? Kush janë Ekspertët Endërrimtarë? A mos vallë autori është pararoja e ndonjë dërgate emigratësh shqiptarë në SHBA, nga ata që i ikën Berishës nga vatha dhe japin këshilla online se si duhet bërë Shqipëria, por që tashmë mund ta kenë ndarë mendjen të rikthehen për të marrë “fatet e vendit në dorë”? Unë shpresoj sërish, por nuk besoj tek “pakot” që vijnë me parashutë dhe pyesin se nga bie rruga për në aeroport…!!!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: