Në vitin 2016, kandidati Donald Trump mori presidencën pasi fitoi Kolegjin Elektoral, ndonëse rivalja Hillary Clinton fitoi votën popullore.

Por çfarë është Kolegji Elektoral?

Kur qytetarët votojnë për presidentin në zgjedhjet e së martës, ata votojnë për një grup elektorësh nga shteti i tyre, të cilët më vonë hedhin votën për kandidatin që ka marrë më shumë vota në atë shtet.

Ky është Kolegji Elektoral, i cili përveç emrit nuk ka lidhje me arsimin e lartë.

Nëse Presidenti Trump fiton një shtet, grupi i elektorëve në atë shtet do të votojë në Kolegjin Elektoral. Nëse shtetin e fiton Joe Biden, grupi i tij i elektorëve fiton edhe votat e Kolegjit në atë shtet.

Elektorët janë kryesisht njerëz partiakë, të cilëve mund t’u besohet për të votuar për kandidatin e preferuar.

Në historinë amerikane, më shumë se 99 për qind e elektorëve kanë votuar për kandidatin që ka fituar shtetin. Kjo sipas Arkivave Kombëtare.

Çdo shtet ka numër të barabartë elektorësh me anëtarët që ka në Kongres. Distrikti i Kolumbias ka tre elektorë, aq sa ka edhe shteti më i vogël amerikan. Pra shtetet me popullsi më të madhe kanë më shumë elektorë.

Si rezultat, ato marrin më shumë vota elektorale. Kolegji Elektoral ka gjithsej 538 elektorë. Fituesi i zgjedhjeve duhet të ketë më shumë se gjysmën, pra 270 vota elektorale. Presidenti do të inaugurohet më 20 janar 2021.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb