Para pak ditësh u nda nga jeta britaniku Roger Scruton, filozofi dhe mendimtari i shquar konservator. Kur vizitoi Shqipërinë këtu e katër vjet më parë, akademiku u shpreh i shqetësuar për lidhjet e qeverisjes me krimin. Zor se Scruton do i ketë ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri.

Sëmundja e rëndë dhe sulmet nga e majta në vendin e tij, e kishin dobësuar shumë. Por nëse do i kishte ndjekur debatet e fundit që vijnë nga Shqipëria, do kishte kuptuar se disa ia kanë gjetur ‘ilaçin’ të këqijave që kanë kapluar vendin. Mjafton të ndryshohet sistemi zgjedhor.

Pavarësisht se të gjithë bien dakord se nuk ka sistem zgjedhor perfekt, pavarësisht se politika thotë se është gati të diskutojë për të mirat dhe të këqija e çdo sistemi zgjedhor, sërish kjo fushatë histerike nuk u ngrit dhe po vazhdon pa disa qëllime.

E para, ajo synon të tregojë se të gjithë palët janë njësoj, dhe se Edi Rama dhe Lulzim Basha vazhdojnë të jenë bashkë. Ky është qëllimi final i një qeverisje të keqe, të tregojë se të gjithë janë pis. Sepse kur të gjithë palët janë të ngjashme, fiton gjithmonë ai që ka pushtetin.

E dyta, këtij synimi i shërbente edhe kontrabandimi në gazetën më të madhe gjermane, BILD, i një shkrimi me akuza për Partinë Demokratike. ‘U barazuan palët,’ ishte titulli që do preferonin të shihnin në çdo media shqiptare atë natë, deri në momentin kur gazeta e fshiu artikullin nga faqja, duke i nxjerrë bllof.

E treta, përpjekja për të barazuar vjedhjen masive të zgjedhjeve, kapjen e shtetit, krijimin e të parit narko-shtet, shkrirjen e qeverisjes me krimin, bazohet edhe te shpresa se do funksionojë një fenomen i njohur në politikë. Sa më e keqe qeverisja, aq më e lartë steka e pritshmërive për opozitën.

E katërta, e gjithë kjo histeri nuk u jep shpjegim disa paradokseve të prodhuar nga qeverisja e Edi Ramës. Fjala bie, nëse thuhet se sistemi kapet nga krimi kur duhet të fitohen garat, atëherë përse në votimet e 30 qershorit, kur nuk kishte garë, listat e kandidatëve të Ramës ishin të mbushura me njerëz të krimit?

E pesta, duhet të jesh i painformuar kur flet për propozimet e sistemit dhe thekson se një kriminel nuk arrin të marrë vota përtej qarkut ku garon. A nuk e panë atë operacionin e ardhur nga gjermanët, ku u prangosën disa banda nga Shkodra, Lezha e deri në Shijak, Durrës e Fier, ku bëheshin bashkë shteti paralel, droga dhe manipulimi zgjedhor? Meqë shpresojnë se shqiptarët do zgjedhin të parët në listë njerëzit më të mirë, po ajo historia e atij që i detyroi të gjithë të largohen nga kreu i listës derisa të vinte radha e tij, e kanë dëgjuar?

E gjashta, sërish nuk duhet të harrohet se edhe centralizimi duhet të shkojë krah për krah me përgjegjësinë. Po a nuk u bën përshtypje se sa më shumë e shton pushtetin Edi Rama, aq më pak përgjegjësi mban?

E shtata, kjo puna e sistemit çon ujë në mullirin e Ramës. Që kur bëri të parën intervistë në mediat e huaja e vazhdimisht, u ka thënë të huajve dhe shqiptarëve se fajin e ka sistemi, se po të sjellësh edhe një gjerman këtu, ai do të korruptohet. Pra njerëzit nuk janë problem, por diçka abstrakte si sistemi po i mban peng. Madje, edhe njëri nga këto mbrojtësit e tezave për sistemin, e tha hapur në një intervistë televizive se nuk ka faj Edi Rama, sepse po të ishte edhe ai, do bënte të njëjtën gjë si Rama.

Pra, ai që themeloi të parin narko-shtet në Europë, që doli në gazetën më të madhe europiane me përgjimet mafioze të manipulimit zgjedhor, që ia ka dalë të prishë zgjedhjet në atë pikë sa blerja e votave është bërë shqetësimi primar i ODIHR dhe ndërkombëtarëve, ai që ka shkrirë kufijtë mes shtetit dhe krimit, nuk paska faj, por diçka më e fuqishme po e mban peng të shkretin. Vërtet historia e lidhjes mes krimit dhe politikës është e vjetër sa e gjithë bota, po largimi i Ramës do ishte sikur të hiqje një tumor të madh nga trupi i drobitur i shtetit shqiptar.

E teta, sigurisht që kjo histori nuk do ngjiste kaq shumë po të mos lakohej qëllimisht fjala ‘sistem’. Nëse fjala kyçe do ishte ‘kod zgjedhor’, ‘lista’, ‘numërim elektronik’ ose ‘votim i emigrantëve’, nuk do kishte kaq shumë interes nga njerëzit. Duke e përdorur kaq shumë fjalën sistem, synimi është që të ngatërrohen njerëzit dhe të besojnë se tani do ndryshojë jo sistemi zgjedhor, por sistemi politik. Kaq në modë është bërë kjo punë, sa para do kohësh edhe kryeministri Edi Rama e tha se shqiptarët duhet të ndjehen keq që nuk e kanë pasur në krye për 30 vite. Sikur të mos na mjaftojnë këto 22 vite në pushtet, ku e kemi parë t’i bien flokët, të thinjet, të plaket dhe të rrudhet çdo ditë në ekran.

E nënta, që kur Samuel Huntington foli për fundin e historisë, ka një shqetësim në rritje se ndaj këtij sistemi nuk ka alternativë. Nuk është e rastësishme që të njëjtët njerëz që flasin për sistemin zgjedhor, kontrabandojnë edhe teza e teori që i shkojnë një sistemi që e kemi lënë pas para 30 vitesh. Sikundër është paradoksale kur e sheh që i turren sistemit dhe biznesit duke përdorur çdo ditë mediat dhe platformat e establishmentit.

Ndaj nuk është rastësi kur t’i shihni ndonjë ditë edhe ata në ‘xhepin e vogël’ të Edi Ramës. Bash si këta hoxhallarët pas tërmetit. Edhe ata nuk e duan fare këtë sistem. Ama ‘shërbetin’ ia pijnë deri në fund…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: