TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zgjedhur të shprehë qëndrimin e tij për ndryshimet Kushtetuese duke publikuar qëndrimet e mëparshme të kryeministrit Edi Rama.

Meta ka sjellë një deklaratë të Ramës më 23 nëntor të vitit 2013 pak muaj pasi kishte ardhur në pushtet ku për ndërhyrjet në Kushtetutë thotë se “s’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe aq më pak një proces politik i njëanshëm”.

Meta shkruan se ky vizion meriton vetëm duartrokitje.

“Ky vizion të dashur miq meriton vetëm duartrokitje! ???
Miratimi i Kushtetutës me REFERENDUM popullor është merita më e madhe e vetë Partisë Socialiste në këto tre dekada!”, shkruan Meta.

Deklarata e Ramës

Çdo ndërhyrje në Kushtetutë pavarësisht se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërisht që në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe aq më pak një proces politik i njëanshëm. Padyshim edhe në qoftë një proces politik i gjithanshëm kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb