TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentoi sot në konferencën e përbashkët me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherinin edhe deklaratën e bërë një ditë më parë nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili tha se Ballkani nuk është gati të jetë pjesë e BE. Sipas Ramës, deklarata e Macron nuk duhet keqkuptuar, por duhet parë si një problem i brendshëm.

Për aq kohë, tha shefi i qeverisë, sa Shqipëria ka një dëftesë në dorë, i takon të vijojë procesin e negociatave.

“Së bashkiu me kancelaren Angela Merkel, presidenti Macron është një tjetër kampion i politikës së zgjerimit. Franca nuk është skeptike ndaj zgjerimit ashtu si edhe Gjermania. Presidenti Macron e ka shpallur pa u bërë President idenë e tij për reformimin e BE, e rimori në fjalimin e djeshëm. Absolutisht dakord me të, Europa, BE duhet të hyjë në një fazë të re reforme, të thellohet para se të zgjerohet. Ne s’po kërkojmë të bëhemi anëtarë, po negociojmë anëtarësimin. Unë do ti shtoj fjalëve të tij këtë, që Europa të thellohet me veten, ne duke u thelluar në procesin e negociatave, ata me veten. Sot nuk diskutojmë për këtë por për thellimin. Unë nuk shoh problem kur ka skeptikë, por shoh që ne jemi me dëftesë në dorë dhe do shkojmë derë më derë dhe do themi ç’punë kemi ne me ato problemet tuaja të brendshme”,- tha Rama.

Duke përmendur reformën në drejtësi, veçanërisht vettingun si pikën më të fortë për të ecur përpara, Rama shigjetoi edhe Serbinë.

“Mos harroni që negocion Serbia, Mali i Zi, është e papranueshme të mos përfshihet Shqipëria dhe Maqedonia. Një model për tu zgjeruar konsiderohemi kur vjen puna tek reforma në drejtësi. Këtu do jemi dhe do shikojmë kur vettingu të nisë në Beograd dhe në Podgoricë”,- tha ai.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: