Rekrutimet e fundit të Edi Ramës, Najada Çomo dhe Luljeta Bozo, u shndërruan në lajmin e ditës dhe me të drejtë i dhanë një ngritje të ndjeshme pikësh. E para personazhi që simbolizon luftën në front me covid-19, e dyta profesionisten e vjetër që, me këshillat pa kompromis, ndihmoi në traumën dhe post-traumën e tërmetit.

Tani që perdja e show-t u ul, spektatorët mundohen të kuptojnë thelbin e asaj që panë për 2 ditë me radhë dhe efektin mbi jetën e tyre. Ç’do të thotë përfshirja e Luljeta Bozos në listat e PS? A do të ndihmojë në rindërtim? A do ketë një ndryshim në planet klienteliste të Edi Ramës dhe Bashkive për trajtimin e të dëmtuarve? A do zbatohen kushtet teknike, të cilat inxhinierja i përmendte vazhdimish, në vlerësimin, projektimin dhe ndërtimin e shtëpive dhe lagjeve të reja? A do të përshpejtohet strehimi i njerëzve të pastrehë që, sipas Bankës Botërore, deri tani nuk i kalon 10 për qind megjithëse kanë kaluar 15 muaj nga tërmeti?

Për të gjitha këto pyetje, Luljeta Bozo nuk mund të përgjigjet. Sigurisht që nuk është përgjegjësi e saj. Detyra që mori ajo, nuk ka lidhje me rindërtimin, as me organizmin, as me projektimin apo disbursimin e fondeve të donatorëve. Ajo është në listën e deputetëve dhe maksimumi që mund të bëjë, është të kontribuojë në një zonë elektorale, duke shpërndarë tezat e Rilindjes. Sigurisht, jo atë të kooperativave që elaboroi gjatë prezantimit, sepse fati i saj u përvijua në fytyrën e Ramës gjatë audiencës.

Në rastin më të mirë, Bozo do të udhëtojë sa herë të mundet me mëtuesin e mandatit të tretë, për tu përdorur si imazh. Sepse kaq është roli që i ka caktuar Rama. Të jetë imazh, të trukojë dëmet e Rilindjes që janë më të mëdha se ato të tërmetit. Në fund të show-t, pasi ke gëzuar shfaqjen, kupton që asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk do ndryshojë. Rilindja me të njëjtën papërgjegjshmëri do t’i lërë njerëzit jashtë, do ndryshojë statuset e të dëmtuarve në bazë të klientelës dhe do shtyjë pa afat strehimin e të dëmtuarve. Nëse për 15 muaj u strehuan 10 për qind, për strehimin e të gjithëve do të duhen 100 muaj. Sigurisht që në fund të 100 muajve, Luljeta Bozo nuk do jetë më deputete.

Ai i Najada Çomos, është më i rëndë se një truk elektoral. Është korrupsion politik-elektoral. Është shpërfaqja e modelit që Edi Rama më shumë se Berisha, Nano dhe Meta, futi në politikë, “banalizimi materialist”, përfitimi dy ose më shumë herë nga gjithçka, shndërrimi i gjithçkaje në një pazar të shpifur.

Kjo sepse Najda Çomo është aty, jo vetëm për simbolikën e betejës në front, por si një mjeke që ka shëruar mijëra të infektuar dhe ndoshta ka shpëtuar jetë njerëzish që ndihen të detyruar moralisht ndaj saj. Pacientët e infektivit, ashtu si gjithë shqiptarët, paguajnë sigurimet shëndetësore, që u garantojnë kurimin falas në spitalet publike. Megjithatë, në luftëjn me vdekjen, ndihma e mjekëve, megjithëse një shërbim i paguar, e tejkalon këtë marrëdhënie, bëhet më humane, shumë më e ndërvarur.

“Kemi qarë me pacientët dhe familjarët”, tregonte Najada Çomo, për ta konfirmuar këtë marrëdhënie të veçantë.

Pikërisht këtë mirënjohje, këtë detyrim moral, Edi Rama po e materializon politikisht. Ai po u nxjerr mjeken atyre që shpëtuan nga covid, që t’i detyrojë të paguajnë përsëri për shërbimin, këtë herë me votë. E nxjerr që detyrimin moral të pacientit ta shkëmbejë me interesin e tij material për ca vota më shumë, për të përballuar dallgën e zemërimit që po i mbyt projektin 3D të mandatit të tretë. Kjo klientelizëm banal, i themeluar me leje pallatesh që në vitin 2000 kur Rama ishte kryetar bashkie, është shndërruar tashmë në një model të politikbëries, në “gjetje elektorale”, nga ato, që quhen moralisht të pranueshme, pavarësisht se dëmi i tyre është më i madh se ndërhyrja e Avdylajve për të blerë vota apo intimiduar njerëz. Me këtë model të blerjes hapur, në public të votave, Edi Rama mori përgëzimet e të gjithëve, si një gjeni elektoral.

Nëse ky model do të votohet në 25 prill, në zgjedhjet e tjera Edi Rama do t’i shpërndajë paratë live, bashkë me Niçen, çunat problematikë dhe specialistët e tërmetit. Jo tërmetit të Luljetës, atij të Damianit./dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb