Nga Ilir Kalemaj* Ballkani prodhon më shumë histori se sa konsumon thotë një shprehje e përdorur rëndom prej të huajve dhe e përvetësuar prej vendasveprej kohësh tashmë. Në lidhje me Shqipërinë, përpos kësaj, mund të themi që vendi konsumon shumë më tepër politikë se arrin të prodhojë. Pra, kemi të bëjmë me një ekuacion të përmbysur, ashtu sikundër prodhon më pak lajme se ç’mund të përpunojë, më tepër telashe se ç’mund të gëlltisë, më tepër konflikt se ç’mund të tresë trupi i saj i brishtë politik, i cili është tjetërsuar, por jo domosdoshmërisht përmirësuar me reformën e re territoriale. Kjo e fundit, ndonëse prej kohësh e kërkuar si rezultat i një logjike gjeo-ekonomike dhe për t’i kthyer njësitë vendore në më funksionale, i shëmbëllen fort një salamandre elektorale që përforcon fituesit në zonat të ashtuquajtura bastion dhe jo plotësisht e legjitimuar për shkak të mospërfshirjes së opozitës në pushtet. Jo rastësisht është fort e kontestuar si çdo gjë në këtë vend të bekuar nga Perëndia përsa u përket kushteve klimaterike dhe burimeve natyrore, por me fatin e keq të të mos marrurit vesh mes vedi dhe ku politika shpesh ka shërbyer për t’i thelluar ndarjet dhe jo fashitur ato.

Në këto zgjedhje u vu re një tkurrje e forcës votuese nga jugu në veri, ku shqiptarët më shpesh po shohin ta lënë këtë vend, se të qëndrojnë dhe të shpresojnë për ndryshim. Në këto zgjedhje u pa qartë se indiferenca e të shumtëve zëvendësoi zellin politik të militantëve të ethshëm dhe të dëshirueshëm për të vazhduar apo rikthyer së qeni pjesë e sistemit, një sistemi që fatkeqësisht prodhon gjithnjë e më pak vlera, ide apo progres. Në këto zgjedhje humbi demokracia dhe pushteti që buron nga vullneti i të shumtëve, sepse në shumicën e njësive të reja territoriale do të kemi qeverisje të pakicës, të asaj pakice që shkoi për të votuar dhe që shpesh ishte në mëdyshje për shkak të cilësive të kandidatëve, për retorikën e ashpër politike që linte zbuluar planet e munguara për zhvillimin e bashkive, për akuzat pa thelb që nxirrnin cullak mungesën e vizionit, për përplasjet e zëshme dhe arrogancën e kudogjendur, që nuk mbulonte dot me gjethe fiku mungesën e profesionalizmit dhe integritetit të një pjese të kandidatëve që ishin vënë aty ose si qokë politike, ose si rezultat i dosjes kriminale, ose si pasojë e ofertave të dyshimta monetare.

Shumë premtime janë bërë për të përfshirë qytetarin, për të ofruar shërbimet ma afër tij, ndonëse distancat nga qendra e bashkisë janë rritur ndjeshëm për shumicën e ish-komunave, vijon të premtohet uji edhe në dekadën e dytë të shekullit të 21-të për shqiptarët e zhuritur, rrugët për shoferin e rraskapitur, tregjet bujqësore për fermerin e drobitur, të drejta formale për gratë e përjashtuara, karta studenti dhe shkuma-party për studentët dhe të rinjtë, duke i fyer kështu ata që janë jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e këtij vendi, që përfaqësojnë shpresën dhe ëndrrën se ky vend do të mund të ndryshojë një ditë.

Personalisht jam skeptik se sa do të mund të rritet demokracia që është e bazuar në përfaqësim, pjesëmarrje dhe vendimmarrje të shumicës. Oferta politike sa vjen dhe rrudhet, qytetarët kanë filluar të bëhen po aq pragmatistë sa politikejt që pas dy muajve fushatë “ku votuesit vijnë të parët”, shpesh kthehen në filmin e përsëritur të radhës, ku takimi i radhës është minimumi pas dy vjetësh. Në këtë vend ku fijet që mbajnë bashkë komunitete dhe ndërtojnë kapital social sa vijnë dhe dobësohen, ku anomia apo tërheqja e qytetarëve nga sfera publike është kthyer në normë, nuk ka se si të jetë rastësi që debati publik është monopolizuar nga një grusht njerëzish me interesa okulte dhe që shpesh funksionojnë si oligarki duke maskuar interesa private.

Vetëm pasurimi i ofertës politike që vjen nëpërmjet ç’bunkerizimit të partive politike me qëllim të thithjes së kapaciteteve, të njerëzve që kanë vokacionin dhe talentin, aftësinë dhe përkushtimin, dashurinë për të bërë diçka për këtë vend dhe profesionalizmin për t’ia dalë mbanë, hapja reale ndaj mendimit qytetar, ndaj vendimmarrjes publike, pranimi i mendimit ndryshe, që është alfa dhe omega e demokracisë, mund të rrisin shanset për të rifituar vëmendjen e njerëzve dhe besimin e tradhtuar të qytetarëve te politika dhe institucionet. Në fakt, në disa elementë politika me gjithë deformimet e saj, aspak të vogla dhe që u renditën gjerësisht edhe në këtë shkrim, ngelet më meritokratike sesa disa institucione që janë kthyer në korporata të emëruarish apo të vetëzgjedhurish dhe ku nuk i nënshtrohen testit publik të votimit. Kjo mandej reflektohet edhe në sondazhet popullore, ku partitë politike renditen pas institucioneve të tilla si gjykatat, doganat dhe tatimet etj., ndërsa organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja si ndër më të besueshmet dhe që në mungesë të institucioneve të pavarura shpesh luajnë rolin e arbitrit me garanci ekstra-konstitucionale në këtë vend me demokratizim të vështirë. Megjithatë, në një vend që konsumon politikë shumë më tepër nga ç’mund të prodhojë, ndryshimi fillon pikërisht nga politika, për ta kthyer këtë të fundit në mbartëse idesh për zhvillimin e vendit dhe jo luftë brenda llojit që majis plagët në vend që t’i shërojë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: