Nga: RUDINA HOXHA/ELENA KOCAQI *
Pak e di bota se këtu në Shqipëri, në shenjë të respektit ndaj feve në vend, byreku apo petaniku siç i thonë dendur nga jugu, përgatitet gjysmë me mish viçi e gjysmë me mish derri. Zakonisht një rit i tillë ndiqet nga familjet ku ka martesa midis feve të ndryshme. Kështu të gjithë janë të kënaqur e ushqimi ju shijon më tepër!
Ky është një shembull i shkëlqyer e unikal i modelit të tolerancës fetare që i tërheq vëmendjen çdo të huaji që vjen në Shqipëri. Thellë, thellë, ajo tregon shumë për vlerat që gjenden në trungun e një kombi. Kryeministri Shqiptar, Edi Rama, ka shprehur idenë e ndërtimit të një muzeu ndërfetar. “Një nga gjërat që dua të bëj është ndërtimi i një muzeu ndërfetar. Shqipëria është një rast unik për shkak se myslimanët, të krishterët ortodoksë dhe katolikët, të gjithë bashkëjetojnë në paqe. Një muze si ky do të mund të shqyrtojë të gjithë rajonin e Ballkanit, ndoshta do të bashkonte gjeneratat e reja së bashku”, ka thënë ai.
Shqipëria është një rast unik për shkak se myslimanët, të krishterët ortodoksë dhe katolikët, që të gjithë bashkëjetojnë në paqe. E pra, kur flasim për atë se çfarë mund të përfitojë Europa nga Shqipëria, gjëja e parë që të vjen në mend është dialogu midis feve dhe bashkëjetesa e tyre harmonizuese. Për shumë vende europiane ku shoqëritë hasin vështirësi me shumëllojshmërinë e kulturave dhe sidomos me Myslimanizmin, Shqipëria, që lufton të bëhet pjesë e BE-së, mund të sjellë një perspektivë të re dhe një ‘hyrje’ që nuk duhet të nënvlerësohet në këtë aspekt. Shqipëria, e cila për shumë sy, po arrin të zëvendësojë elementët e prapambetjes me ato të modernizmit, konsiderohet si vendi që pritet të tejçojë energji të reja në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka shumë për t’i afruar Evropës.
Shqiptarët janë populli më i vjetër i Europës dhe si të tillë ata janë më evropianë se kushdo popull tjetër i Europës. Europa sipas mitologjisë ishte halla e ilirëve, gjyshërve të shqiptarëve. Të dhënat historike, antike dhe mesjetare tregojnë se pjesa më e madhe e kombeve evropiane origjinën e kanë nga ilirët, ashtu si dhe origjina e qytetërimit greko-roman.
Shqiptarët i kanë dhënë Evropës dhe botës njerëz shumë të mëdhenj duke filluar nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë, Pirro i Epirit, mbi tridhjetë perandorë Romës e Bizantit midis tyre Kostandinin e Madh dhe Doklecianin, Justinianin e Madh e të tjerë. Shqipëria i ka dhënë Perandorisë Osmane mbi dyzet kryeministra dhe qindra guvernatorë. Shqiptarët themeluan shtetin modern të Egjiptit me Muhamet Aliun, kontribuuan në krijimin e shtetit Grek, Italian e Rumun me dinastinë Gjika, shtetin modern turk e të tjerë. Shqipëria ka dhënë humanisten më të madhe që njeh bota sot Nënë Terezën dhe shumë e shumë figura të përmasave të jashtëzakonshme. Shqiptarët për kontribute njerëzore janë në elitën e shoqërisë botërore dhe Europa ka çfarë të përfitojë nga eksperienca historike e tyre.
Shqipëria e sotme ofron një vend atraktiv në fushën kulturore pasi ka një trashëgimi arkeologjike dhe kulturore e cila është një pasuri e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. Qytetet antike dhe arkeologjike janë nga më të mirat në Mesdhe dhe më gjerë. Kjo trashëgimi është një bazë e mirë për turizmin gjatë gjithë vitit. Ditët me diell dhe shumëllojshmëria e brezave klimaterikë me klimën mesdhetare deri tek ajo kontinentale e bëjnë vendin atraktiv si në verë dhe në dimër. Larmia e relievit dhe ekzistenca e deteve, liqeneve, lumenjve janë një burim i madh ekonomik dhe turistik. Shqipëria ofron me fushat e saj dhe klimën një potencial të madh në bujqësi. Kështu në fushat me klimën mesdhetare mund të mbillen bimët mesdhetare dhe në kodrat e këtij brezi klimaterik agrumet. Klima ofron mundësi për mbjelljen e bimëve dhe pemëve frutore kontinentale. Shqipëria ka mundësi që të japë prodhim bio për tregjet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Shqipëria ka naftë, krom, sasi të mëdha uji, e shume minerale të tjera që e bëjnë atë një vend të pasur.
Padyshim që Shqipëria ka probleme dhe në veçanti, mund të përmendim problemin e korrupsionit, sidomos ai i sistemit gjyqësor si dhe krimin ordiner ku ne veçanti bie në sy problemi i gjakmarrjes. Këto fenomene nuk kanë pse penalizojnë shqiptarët. Hyrja në BE do të sillte një ndërgjegjësim më të madh të shoqërisë shqiptare dhe politikës së saj për korrupsionin. “Auditimet” e BE-së do të sillnin uljen e nivelit të korrupsionit. Gjithashtu hyrja e vendit tonë në BE do të ulte kriminalitetin pasi presioni europian dhe reformat e njëpasnjëshme do të sillnin ndëshkueshmëri më të lartë ndaj elementëve kriminalë.
Shqiptarët nuk kanë pse mbesin peng i së kaluarës së tyre. BE ka detyrën të ndihmojë shqiptarët pasi ata e meritojnë të jenë pjesë e saj për shkak të lashtësisë, kontributit për njerëzimin dhe potencialit që ofrojnë vetë shqiptarët me popullsinë e tyre të re në moshë.

* Historiane dhe pedagoge

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb