Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar sot përplasjen mes dy forcave të kolacionit qeverisës, duke thënë se diçka e tillë lexohej që më Prill 2013, ndërsa na tregon 3 skenarë, që sipas tij, mund të vihen në lëvizje javën e ardhshme. “Por nëse për koalicionin ka ende kohë, një gjë duket e sigurtë, java që vjen nuk mund të mbyllet me të njëjtin kompozim politik që është aktualisht dhe as me këta emra në qeverisje”,- shprehet Fevziu.

Nga: Blendi Fevziu

Janë në një qeveri, por nuk qeverisin bashkë. Kanë një program po duket se janë në pozicione të kundërta për produktin e tij. Histori e njohur kjo e konfliktit të brendshëm PS – LSI, por që duket se këtë fundjavë ka shkuar përtej pritshmërisë. Dhe vijimi duket shumë i vështirë.
A mund të qeverisin bashkë dy forca, kur ministrat e të njëjtit kabinet akuzojnë njëri – tjetrin në TV?!
A mund të qeverisin bashkë dy forca, kur ministrat e njërës duket qartë që as e kanë në llogari dhe as i binden kreut të qeverisë, me bindjen absolute që ai s’ka asnjë mundësi t’i ndëshkojë?
A mund të qeverisin bashkë dy forca që për problemet imediate të vendit kanë vizione krejt të kundërta: njëra i bie alarmit të kanabisit dhe kriminalitetit, ndërsa tjetra ka vetëm një përgjigje dhe një argument, reforma në drejtësi.
A mund të qeverisin bashkë dy forca që më shumë shihen në TV, duke akuzuar njëra – tjetrën për dështim.
Nuk ka asgjë të papritur. Lexohej lehtë që kjo histori do të shkonte kështu, që në 1 Prill 2013. Tani, situata bëhet edhe më e vështirë, sepse të dy forcat politike duhet të marrin një vendim. Do vijojnë martesën e tyre plot sherre dhe zhurmë, ose do shkojnë të jetojnë më vetë, duke ndërtuar të ardhmen secila me votat e saj.
Po ç’do ndodhë mes PS dhe LSI? Ka 3 skenarë që mund të vihen në lëvizje javën e ardhshme, duke përjashtuar një të katërt, që situata të vijojë si këtë javë.
I pari është që Rama të vendosë të bëhet Kryeministër dhe të shkarkojë një apo dy ministra të LSI që kanë sulmuar hapur qeverisjen qëndrore dhe lokale. Për të vendosur në vend autoritetin e tij, ai duhet ta bëjë këtë pa konsensusin e Metës dhe kjo mund të provokojë largimin e LSI nga qeveria.
I dyti është që Meta të bindet, siç thonë edhe ministrat e tij, që qeverisja me PS është një dështim. Që LSI po merr kosto nga korrupsioni dhe arroganca e qeverisjes dhe të vendosë të largohet vetë prej saj. Ai mund ta bëjë këtë duke u larguar menjëherë, ose të distancohet duke deklaruar që në zgjedhje do të garojë më vete, jo në koalicion me PS e padyshim jo me PD.
I treti, më neveritësi politikisht është që Rama dhe Meta të ulen sërish. Të bien dakort për të prerë ndonjë kokë ministri “rebel” të LSI apo ndonjë tjetri të PS dhe të vendosin të shkojnë më tej. Do ta shtyjnë ca kohë, sa të dalë konflikti i radhës dhe ta kuptojnë që dallimi mes tyre nuk është rastësor, por konceptual.
Në të gjitha versionet, dalja e LSI më vete do të ishte një akt me interes të madh publik. Pak rëndësi ka se si do të ndikonte ajo në votat e vetë LSI.
Dalja e Metës në një koalicion më vete do ta rihapte betejën elektorale. Do ta bënte atë më të fortë, më konkuruese dhe padyshim më legjitime.
Dalja e Metës në një koalicion më vete do ishte më motivuese për votuesit e opozitës që do përfshiheshin në një betejë më të fortë.
Dalja e Metës në një koalicion më vetë do t’i jepte fund pingpongut të përgjegjësisë dhe të akuzës se njëra forcë apo tjetra qeverisin me vota të dhuruara. PS do kishte të vetat, LSI të vetat dhe PD të vetat. Skena politike me këto 3 grupime do ishte më legjitime dhe pak rëndësi ka se si do kryqëzoheshin votat. Ç’do forçë në qeveri apo opozitë do ishte me votat e saj dhe kjo do ju jepte më shumë fuqi.
Por nëse për koalicionin ka ende kohë, një gjë duket e sigurtë, java që vjen nuk mund të mbyllet me të njëjtin kompozim politik që është aktualisht dhe as me këta emra në qeverisje. Se kush do veprojë i pari mbetet për t’u parë. Nëse nuk veprojnë, atëherë jemi peng i papërgjegjshmërisë dhe një politike që tallet me të gjithë ne…

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb