Policia e Kosovës tregon se një makinë ka goditur patrullën e tyre, ku këta të fundit e kanë tentuar ta ndalojnë për kontroll për kontrabandë në veri të vendit.

Sipas njoftimit, makina që ishte në lëvizje ka goditur automjetin e policisë duke rrezikuar jetën e zyrtarëve në vendin e ngjarjes.

“Më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës”, thuhet një njoftimin e policisë.

“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”, vijon raportimi.

Po ashtu, thuhet se personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thekson Policia e Kosovës.

“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme”, përfundon njoftimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: