Aleksandër Vuçiç dukej si më i sinqerti mes tre liderëve që dolën huq për të disatën herë me inicativën e “minishengenit”, “shengenit rajonal” apo “Open Balkan”. Ai të paktën tha një të vërtetë, që takimit të parë me Ramën e kishin organizuar për të fituar pikë politike në vendet e tyre.

Ky rrëfim shpjegon atë “Provokacijan” e famshme që e bëri Edi Ramën të kalonte si hero në luginën e Preshevës dhe të pritej si pop star në Kosovë. Nuk paska qenë një akt diplomatik në shërbim të Kosovës, por vetëm një lëvizje e zgjuar marketing politik, që doli me sukses.

Jehona e “Provokacijas” do të vazhdonte edhe sot, nëse çmimi i asaj dhurate që Vuçiç i bëri Ramës, nuk do të kishte brenda edhe ndryshimin e kufijve të Kosovës edhe shengenin rajonal të themeluar në Novi Sad.

Ndërsa ndryshimi i kufijve është një rrezik në rënie, shengeni rajonal po shndërrohet në një kërcënim serioz, që siç u la në Shkup, do të sjellë edhe ndryshimin e legjislacionit, pavarësisht se legjislacioni mezi është përshtatur me atë të Bashkimit Europian.

Janë vetëm ligjërimi fillestar i devijimit nga rruga për në Bruksel. Kishin filluar pa ligje, kur autokratët e Ballkanit akuzonin Europën për egoizëm, snobizëm deri në padrejtësi dhe Edi Rama si më i guximshmi e mallkonte “vafshi në djall”. Ato kërcënime liliputësh nëpër vilat qeveritare të Ohrit, Shkupit, Tiranës dhe Beogradit, u jepnin kurajo vetëm shërbëtorëve të regjimeve, që e shikonin refuzimin europian me frikën e rënies së pushtetit dhe përfitimeve.

Tani që vendosën të ndryshojnë ligjet për t’i dhënë fuqi iniciativës së tyre, është momenti për të rezistuar deri në shkatërrimin e “Open Balkan”, ose për të pranuar një herë e mirë përdorimin si kavie të një eksperimenti.

Duhet rezistuar, jo se iniciativa është themeluar në Novi Sad, por sepse ajo e Meriton emrin iniciativa e Novi Sadit, në kuptimin e një marrëveshjeje që i intereson vetëm Serbisë. Në kushtet kur përballet me bisedimet e vështira me Kosovën, tani që përballë ka Albin Kurtin, kur ka një projekt-marrëveshje me 5 pika të cilën as nuk pranon ta konsiderojë, miqësia me Edi Ramën dhe vëllazërimi me shqiptarët e Shqipërisë, e ndihmon të fshehë nacionalizmin ekstrem që nuk i ka ndryshuar që kur ishte ministër i Millosheviçit.

Në kohën që Kosova kërkon një fillim të mbarë dhe të qartë të procesit të paqes, duke pranuar krimet e luftës, duke paguar reparacionet, gjendur të humburit etj; Shqipëria flet për harrim të së shkuarës pa asnjë proces pajtimi dhe e akuzon Kosovën, se ka mbetur në të kaluarën.

Vasil Naçi, një ndër biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri, me investime edhe në Serbi dhe Maqedoni, e përshëndeti iniciativën gjatë Forumit. Naçi nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për lidhje me politikën, për të bërë biznes. Është ndër pak modelet e mira të biznesit që ka prodhuar Shqipëria, por fjala e tij ishte shumë e shkurtër.

Ai nuk tha se si është klima e biznesit në Shqipëri, se si ndihet ai në këtë klimë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, vetëm dy ditë më parë konstatoi se klima e biznesit në Shqipëri është e papërshtatshme, veçanërisht për investimet e huaja. Serbia me politikat e favorizimit financiar dhe fiskal të investimeve të huaja, ka sot kompanitë më të mëdha të Perëndimit si madje edhe të Lindjes.

Investimet e huaja direkte në Serbi kanë qenë rreth siç e tha Vuçiç, janë 60 për qind e investimeve të huaja direkte të Ballkanit Perëndimor (në fakt 63 për qind), rreth 4 miliardë euro në 2019, po aq në 2018. Me politikën e flirtimit me Perendimin dhe Lindjen dhe me kërcënimin e influencës Ruse, Serbia ka mbledhur një energji investimesh të huaja që kërkon zgjerim të tregut, ekspansion në Ballkan dhe më gjerë.

Investimet e huaja direkte në Shqipëri nuk i arrijnë 1 miliard euro po të mos u shtosh bujarinë e Erdoganit për tërmetin dhe zgjedhjet. Kompanitë perëndimore janë larguar thuajse të gjitha, për tua lënë vendin atyre rajonale dhe vendase. Kur bën fjalë për eksporte, vetë Kryeministri përmend domatet dhe mandarinat, që nuk përbëjnë as 1 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto që Shqipëria e ka 15 miliardë dollarë, ndërsa Serbia 53 miliardë.

Kjo ekonomi, 3 herë e gjysmë më e madhe, me një kërkesë ekspansioniste në rritje marramendëse, po kërkon më shumë lehtësi për tregjet e Ballkanit. Deficciti tregtar i Shqipërisë me Serbinë për 2020 ishte 120 milionë euro, ose 3 për qind e buxhetit të Shtetit. Me iniciativën e Edi Ramës për lehtësimin e ekspansionit serb, sigurisht që do të rritet.

Ky ekspansion është i pamundur me marrëveshjet e tipit CEFTA, që janë formuluar prej Bashkimit Europian, në stilin e BE, për të mbrojtur ekonomitë e secilit vend. Procesi i Berlinit, i inicuar nga Merkel, garanton zgjerimin e tregut duke mbrojtur ekonomitë e secilit vend, garanton që kapitale të dyshimta të mos hyjnë në konkurencë, që produktet kineze dhe ruse që kanë hyrë në Serbi me marrëveshje që shkelin Atabilizim – Asociimin, të mos hyjnë pandershmërisht ne gjithë tregun e Ballkanit, për t’i garantuar Serbisë hegjemoni ekonomike.

Në vend të flasë konkretisht për këto, Edi Rama, flet për kamionistë që transportojnë shalqinj dhe mbeten nëpër dogana. Shalqinjtë prishen kur i vonon dogana serbe, por energjia që importojmë nuk ka nevojë për doganë, makinat, makineritë e gjithë industria e rëndë që importojmë, nuk e ka peshën e domateve, mandarinave dhe shalqinjve.

Diferenca është 120 milionë euro në vit, që Shqipëria i çon në Serbi. Edi Rama po nxit shqiptarët të harrojnë, po nxit Kosovën të mos vërë pavarësinë përpara ekonomisë, që pagesa e shqiptarëve për serbët të shumëfishohet. A mund ta bëjë një shqiptar këtë?/dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb