TIRANË

Dëshmi të reja për 21 janarin dhe vrasjen e 4 protestuesve janë dhënë sot në emisionin “Real Story” në News24 ku është diskutuar rihapja e çështjes për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Ish-prokurori i çështjes Shkëlqim Hajdari tha se në ekspertizën e ardhur nga FBI që kishte të bënte me gëzhojat dhe plumbat dhe që ishte prova kryesore u argumentuar para gjykatës se plumbat e dalë ishin nga dy armët e dy të pandehurve Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, çka tregonte sipas tij se vrasja ishte me dashje.

Ndërkoë gazetarja Klodiana Lala shprehu skepticizëm pasi sipas saj 10 vite mund të zbehin dhe më shumë provat. Ajo tha se ishin disa problematika që 10 vite më parë kur u hetua çështja.

Gazetari Ferdinand Dervishi tha se është qëlluar drejt turmës kur nuk po sulmohej kryeministria dhe se ka pasur të shtëna të shpeshta në drejtim horizontal, jo në ajër. Sipas tij 2-3 armë qëlluan drejt.

Hajdari: Në ekspertizën që ka ardhur nga FBI-ja në lidhje me gëzhojat, me plumbat ajo është prova kryesore që kemi përdorur ne. Nëpërmjet ekspertizës ne kemi argumentuar para gjykatës që plumbat e dalë nga dy armët e dy të pandehurve kanë qëlluar mbi viktimat dhe është vrasje me dashje sepse përveçse dy viktimave plumbat të dalë nga këto dy armë janë gjetur dhe fiksuar dhe në lartësinë e trupit të njeriut përballë kryeministrisë. Në qoftë se një njeri thotë që unë kam vrarë pa dashje se më ka lëvizur arma kjo ka logjikë por në qoftë se unë të vërtetoj me provë shkencore që nuk është vetëm një plumb, por janë 10-12 plumba, që ne i kemi gjetur, atëherë nuk je më nga pakujdesia se njëherë të lëviz dora. Kjo ka qenë provë shumë e fortë që na erdhi nga Amerika. Rezultati në gjykatë të Apelit ishte dy me një. Tani është drejtësia e re. E kuptoj shqetësimin që ka Klodi si profesioniste që pas 10 vitesh çdo gjë bëhet e vështirë.

Lala: Është çështja e provave, zbehja e provave.

Hajdari: Unë mendoj që duhet të mbështesim hetime të drejta dhe të ndershme. Çdo njeri për 21 janarin e ka të ndërtuar të vërtetën e vet në kokë, detyra e prokurorisë të gjejë prova.

Lala: Ekspertiza e FBI u mor si provë nga Gjykata, por nuk u klasifikua si vrasje me dashje siç e kërkoi prokuroria që kishte sjellë më shumë se sa 2 viktima. Sot prokuroria ka rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës. Dhe aty thuhet që predha që ka shkaktuar vdekjen e Aleks Nikës ishte e dëmtuar.

Në atë kohë në atë çfarë ka rezultuar në gjykatë, kishte problematika sa i përket dëshmive të gardistëve, e dyta nuk u pyetën shumë persona p.sh. zoti Basha, ishte ministër i Brendshëm. Nuk kam informacion dhe nuk më rezulton të jetë pyetur drejtori i përgjithshëm i policisë së kohës, apo kreu i SHISH apo kryeministri i kohës.

Nuk më rezulton të jetë pyetur shefi i opozitës së kohës, deputetët që ishin në ballë të protestës dhe të plagosurit. Kemi realisht disa të plagosur që nuk iu është marrë dëshmia.

Dervishi: Janë dëshmitarë që janë dhe viktima. Fatosin e kam pasur koleg dhe ai e tregonte gjatë e gjatë atë pjesë se si u plagos. Fatosi e ngrinte telefonin dhe e mbante lart kur fliste në telefon. Fatosi thotë fati im që unë nuk u vrava. Ai më ka treguar që në atë moment kërcitën armët dhe unë tentova të hidhesha dhe në momentin që lëviza më kapi në dorë plumbi, e njëjta breshëri një pëllëmbë më tej vrau Hekuran Dedën. Ambasada amerikane ka protestuar, nuk ka qenë dakord me vendimin dhe ua ka kujtuar shqiptarëve që ne investuam. Ekspertiza e FBI u rrëzua me një frazë të vetme, u vranë pa dashje. Një provë që nuk u vranë pa dashje ishte, a motivohej qëllimi në ajër në ato momente që askush nuk po e sulmonte Kryeministrinë.
Në momentin që u vranë askush nuk po e sulmonte kryeministrinë. Ka një rregull se kur qëllohet në ajër apo në turmë etj. etj.

Hajdari: Nuk është qëllim në ajër. Unë të vërtetoj me prova që përveç 2 plumbave që iu kanë marrë jetën dy njerëzve, unë të vërtetoj dhe 12 plumba nëpër pemë, në lartësi deri në 170 cm-180 cm, do ishin vrarë 12 vrasje tek e tek.

Dervishi: Po të kishin qëlluar të gjithë në atë kohë me urdhër do ishin vrarë të gjithë në bulevard. Është qëlluar ulët po, nuk është qëlluar në ajër. Në kangjellat e rrethimit të kryeministrisë ka 13 goditje, përveç atyre që e kanë tejkaluar kangjellat. Janë 13 që ose janë kthyer mbrapsht ose kanë devijuar. Në derën ku u vra ai i pari, Ziver Veizi janë 13 goditje të tjera. Që tregon se ka pasur të shtëna të shpeshta në drejtim horizontal. Në ajër u qëllua një kohë të gjatë.

Hajdari: Ke mbi 10-12 njerëz që janë plagosur dhe nga frika nuk kanë shkuar në spital.

Dervishi: Nga shumë persona që kanë qenë aty, ato plumba që bënë atë gjëmë kanë qenë në një fragment të shkurtër kohor. Dy tre armë kanë qëlluar drejt. Këtu supozohet që mund të jetë dhënë një urdhër nga ata urdhra që thuhet që s’dihet nga vinin. Në momentin që janë vrarë nuk ishte një moment sulmi ndaj kryeministrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb