TIRANE– Lajmi i qarkulluar disa ditë më parë në media për mish të kalbur nga Brazili, ka shqetësua jo pak konsumatorët shqiptarë. Ndonëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nxori rezultatet e analizave të mishit të importuar nga Brazili në vendin tonë, duke i cilësuar ato brenda normave të lejuara, qytetarët shqiptarë ndihen të frikësuar për atë çfarë konsumojnë çdo ditë.

Ekspertë të fushës kanë diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Njerëz në fokus” me gazetaren Ola Bruko, ku teme kryesore ishte “Alarmi për mishin nga Brazili”.

Pavarësisht kësaj, shqetësimet e ngritura nga panelistët përfshinin një numër më të madh problematikash me të cilat ndeshet çdo ditë konsumatori shqiptar.

Kreu i AKU-së, Dritan Sejko, tha se pas ngritjes së shqetësimit për mishin nga Brazili, u morën të gjitha masat nga autoritetet shqiptare.

“Kemi marrë masat pas informacioneve nga mediat e huaja. Analizat e AKU treguan se produkti ishte brenda normave. Ky produkt nuk zhbllokohet deri në përfundimin e analizave. Aktualisht janë bllokuar ngarkesa me 230 ton mish pule dhe derri. Çdo produkt do bllokohet, do merret mostër për analizë. Deri tani s’ka asnjë dyshim për mishin e importuar”, tha Sejko.

Nëndrejtori i ISUV, Adian Xinxo tha se analizat dalin të mërkurën.

Ndërkaq, pedagogu Kristaq Sini ngriti shqetësimin se disa produkte nuk kanë mikro-organizma. Ai tha se mungesa e mikro-organizmave është shqetësuese.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga panelistët, kreu i AKU garantoi se në vendin tonë nuk është importuar mish nga Rumania dhe Serbia.

“Nuk është importuar mish nga vende që cilësohen me risk”, tha ai.

Sakaq, Sejko tha se AKU ka krijuar një portal online ku mund të dërgohen denoncime nga qytetarët. Ai tha se çdo ditë vijnë shqetësime nga qytetarët në këtë portal, teksa thekoi se më pas bëhet verifikimi i tyre.

“Qytetarët ankohen për mungesën e etiketimit në gjuhën shqipe të produkteve, për mbajtjen jashtë kushteve të nevojshme të produkteve shtazore, edhe për produktet e peshkut”, tha Sejko.

Prej 1 prillit, “BalkanWeb” në sondazhin e publikuar ka shtruar për qytetarët pyetjen:

“Sa besim keni tek kontrollet që ushtrojnë institucionet shqiptare mbi produktet dhe nënproduktet e mishit”

Dhe 70 përqind e votuesve kanë zgjedhur opsionin “Aspak”, 25 % “Pak”, dhe 5% “Shumë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb